Eksperti i ekonomisë: Skema ekonomike, një reformë e dështuar
“Nuk ka ende asnjë të dhënë sesi nxirret një familje nga skema ekonomike”.
Kështu u shpreh në emisionin “Mirëmëngjes” eksperti i ekonomisë, Kastriot Sulka, teksa sqaroi se nuk dihet se edhe me sa pikë quhet një familje e pasur.
“Nuk duket në asnjë lloj statistikë, për shembull nëse kombinimi i një frigoriferi e një korridor 2 me 4 të nxjerr nga skema ekonomike”, u shpreh z. Sulka.
Eksperti nënvizoi se skema ekonomike ishte një nga reformat më të rëndësishme por që dështoi.
“Kjo nuk është një çështje vetëm e skemës ekonomike. Ne kemi edhe reformën territoriale që i kanë lënë shumë shpesh banorët e disa zonave dhe komunave të largëta nga vëzhgimi i kryekomunarit dhe shërbimet që ata ofrojnë”, tha ai, duke shtuar për të gjitha proceset duhet transparencë.
Sipas ekspertit, futja në skemën ekonomike trajtohet në mënyrë pasive.























