A ekziston rreziku që të kemi një valë të re të pandemisë, flet Tolaj
Sharr Travel

A ekziston rreziku që të kemi një valë të re të pandemisë, flet Tolaj

Infektologu Ilir Tolaj thotë se ekziston rreziku që të kemi një valë të re të pandemisë Covid-19. Thotë se valën e rritjes së numrit të infeksioneve të reja dhe rasteve të vdekjes që po e kalojnë vendet fqinje, Kosova e kaloi javë më parë.

“Këtë që po e përjetojnë shtetet përreth në fakt ne e kemi përjetuar disa javë më herët kur e kishim kulmin e një vale e cila ishte e këtij lloji, e këtyre përmasave, ishte vala më intensive dhe më e ashpër që nga fillimi i pandemisë”, tha Tolaj.

Por a ekziston rreziku që të kemi një valë të re të pandemisë?

“Po, në parim ekziston meqenëse pandemia që nga fillimi e deri te fundi i saj karakterizohet me valë me ngritje të numrit të rasteve të reja dhe rënie të tyre të kohë pas kohshme. Sa herë që e kemi një valë e kemi një përqindje të caktuar të popullatës e cila fiton imunitet dhe këso valësh do të kemi përderisa e gjithë popullata nuk bëhet imune”, tha Tolaj për RTK-në.

“Ajo që është e mirë në fakt është që edhe për këto variantet e reja pavarësisht sa janë agresive dhe sa shpejt përcillen një imunitet i mëhershëm ose një imunitet i krijuar nga vaksina sërish mbron në masën më të madhe dhe në masën qind për qind kundër formave të rënda të sëmundjes dhe vdekjes”, shtoi ai.