Ahmeti thotë se ka qenë kundër prekjes së kufijve, paralajmëron padi
Sharr Travel

Ahmeti thotë se ka qenë kundër prekjes së kufijve, paralajmëron padi

Pas deklaratës së një politikaneje boshnjake se mes Kosovës dhe Serbisë kishte marrëveshje përfundimtare që parashihte edhe ndarjen e Kosovës, është rikthyer debati i kufijve në Kosovë.

Politikania boshnjake thotë se në një panel në SHBA ku është diskutuar për temën ndarjes e që kishte mbështetjen e Palmerit dhe se Shpend Ahmeti në cilësinë e anëtarit të ekipit dialogues ishte në dijeni të ngjarjes.

Për këtë deklaratë kishte reaguar deputeti i LVV-së Haki Abazi duke fajësuar nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti se kinse kanë përkrahur dhe kanë shtyrë ndarjen e Kosovës.

Ai ka thënë se Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë kundër secilit që bën veprime antikushtetuese dhe që janë kundër integritetit territorial.

Për të gjitha këto ka reaguar Shpend Ahmeti duke mohuar se ka mbështetur ndonjëherë ndarjen e Kosovës si opsion.

“Qëndrimi im për shkëmbimin e territoreve si publik ashtu edhe privat – dihet. Këtë qëndrim e kam shprehur gjithkund. Me insistimin tonë (Visarit e Dugagjinit) dhe me aprovimin e gjithë anëtarëve të delegacionit e kemi pas në platformë e që pastaj është votu nga Kuvendi se kufijtë janë të padiskutueshëm”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ahmeti ka thënë se diskutimi që i është referuar politikania boshnjake është online dhe sipas tij ai nuk ka qenë pjesë e diskutimeve të tilla.

“Një kolege nga Bosna me të cilën kemi qenë në panel ne Washington e ka përmend një diskutim joformal me Palmer ne një cocktail. Unë nuk kam qenë në atë diskutim. Meqenëse në postim e ka përmend që ka qenë në panel me mu më herët, disa njerëz kanë lidh paralele me mu. Mund ta pytni edhe Sabinën (mediat) por më e mira është që ky panel para thinktank-ave të dhe opinion-bërësve në DC ka qenë publik dhe është online”.

I pari i Prishtinës ka paralajmëruar padi ndaj deputetit Haki Abazi, për deklaratat në këtë rast. Ai thotë se deputeti në fjalë duhet të kërkojë falje për të evituar padinë.

“Personi deputet që është deklaruar sot se duhet me më shpall armikun e kombit ose të kërkoj falje ose më duhet ti drejtohem gjykatës. Po të ishte qytetar i thjeshtë nuk isha marr, por një eksponent zyrtar i qeverisë dhe kuvendit nuk mundet me fol pallavra të pabaza”, deklaroi tutje Shpend Ahmeti.