Zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Gjykata Kushtetuese përfundon shqyrtimin
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot në seancë plenare çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit 2019, ndërsa vendimi do shpallet sipas afateve ligjore.
Në seancë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Avokati i Popullit, dhe partia Bindja Demokratike. Gjithashtu, e pranishme ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe kërkesën në Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Palët diskutuan pretendimet për gati 1 orë e gjysmë, ndërsa vendimi do komunikohet sipas afatit ligjor, deri në 30 ditë.
Pas përfundimit të seancës plenare në Gjykatën Kushtetuese, Jordan Daci, avokati i Shoqatës së Bashkive në një prononcim për mediet tha se opinioni i Venecias nuk është detyrues dhe nuk është aq i saktë.
“Në paragrafin 47 e pranon, në 27 pranon dhe në paragrafin 28 e mohon. Nga ana tjetër unë kam bërë pyetje dhe ia shtrova dhe gjykatës. Atëherë nëse nuk është Gjykata Kushtetuese kush është në Republikën e Shqipërisë autoritet që vendos për shkeljen dhe garancitë kushtetuese. Si mund të shkojmë në Gjykatë Europiane të Drejtave të Njeriut nëse Venecia e paska të saktë, nëse vetë Gjykata Europiane e Drejtave të Njeriut na thotë se duhet të kaloni fillimisht nga Gjykata Kushtetuese. Dhe përse Komisioni i Venecias nuk anashkalon me qëllim me dhjetëra vendime të Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut që lidhen me procesin zgjedhor. Kështu që Gjykata Kushtetuese ka kompetencë dhe për vetë faktin që po e gjykon”, tha Daci.
“Vetë opinioni u referohet tre pyetjeve ndërsa për gjykatën janë 20 apo 30 pyetje të tjera, të cilat janë me karakter të ndryshëm dhe nuk lidhet domosdoshmërisht me atë që thotë komisioni. Për më tepër, vetë komisioni thotë se gjykata mund të konstatojë zbrazëti. Po ashtu, komisioni thotë se gjykata ka kompetencë të përgjithshme kushtetuese. Dhe po komisioni thotë gjithashtu, gjykata mund të merret me aspektin e legjislacionit zgjedhor. Edhe këtë e thotë para zgjedhjeve ndërkohë që ne kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve që kanë shfuqizuar pjesë të Kodit Zgjedhor. Kështu në këtë aspekt ne mendojmë se ka kompetencë dhe Gjykata Kushtetuese do ta gjykojë përtej konkluzioneve të Komisionit të Venecias të cilat janë kontradiktore dhe për mendimin tim nuk mbështeten në teorinë e së drejtës kushtetuese”, tha ai.
Çështja për zgjedhjet e 30 qershorit, u ankimua nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, në objektin e gjykimit ka kërkuar konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. Dhe në verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Më herët, Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet.
Sipas opinionit final të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor. Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe nuk këshillonte Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 Qershorit./atsh























