PS tash për tash kundër vetingut të politikanëve
BKT
Shqipëri

PS tash për tash kundër vetingut të politikanëve

Partia Socialiste qeveritare në Shqipëri u deklarua tash për tash kundër vetingut të politikanëve, një propozim i ardhur nga Partia Demokratike opozitare.

Damin Gjiknuri, Sekretar i Përgjithshëm i PS-së së kryeministrit Edi Rama tha se në Shqipëri ka ligje funksionalë për verifikimin e pasurive apo pastërtisë së figurës.

Ai shtoi se Shqipëria ka ligjin e Dekriminalizimit, ligjin Antimafia si dhe Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

“Kemi një ligj për deklarimin e pasurive dhe ku të gjithë politikanët i nënshtrohen kontrollit të plotë, kemi ligj te antimafias dhe pastrimit të parave dhe ke ligjin për dekriminalizimin që është një nga ligjet më të ashpra”-tha ai. Sekretari i Përgjithshëm Gjiknuri, sipas korrespondentit të RTK-së Denion Ndrenika, shtoi se PS është e hapur të negociojë me Partinë Demokratike për këtë çështje.

“Unë nuk jam kundër që të negociohet, çdo gjë është e diskutueshme, por a është kjo e nevojshme për nivel kushtetues. Këtë nuk mund të them sepse Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që bëjnë të mundur kontrollin e figurës së politikanit”, - tha Gjiknuri. Ndërkaq, zoti Gjiknuri kërkoi që opozita ta mbështesë propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, me ç’rast do të shtyhej mandati i trupave të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që përfundon më 17 qershor 2022.

Ai tha se vetingu tashmë është vazhdimësi e një ngrehine kushtetuese institucionale që po funksionon, nisur që nga miratimit në 21-22 korrik 2016 të refromës në Drejtësi.


MË SHUME NGA Shqipëri