NPB: Ministria e Drejtësisë dhe e Infrastrukturës mund të na falimentojnë
BKT
Lajme

NPB: Ministria e Drejtësisë dhe e Infrastrukturës mund të na falimentojnë

Ministria e Drejtësisë e udhëhequr nga Albulena Haxhiu ka dorëzuar padi ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, me kërkesë të Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo lidhet me objektin e paralajmëruar që të ndërtohet në Lakrishte në pronën e NPB-së, ku përfitimi do të jetë milionësh për këtë ndërmarrje.

Lidhur me këtë padi, sot ka reaguar NPB-ja. Në reagim thuhet se ata përmes mediave janë njoftuar se po i kanoset një padi dhe kallëzim penal ndaj zyrtarëve të saj nga Ministria e Drejtësisë lidhur me projektin e ndërtimit, përmes së cilit NPB pret që të ketë rritjen më të madhe të pasurisë dhe të hyrave të saj, që nga themelimi  e deri më tash.

“Ky interes kaq vital pronësor e ekonomik i NPB-së për fatin e keq sot po ballafaqohet me një fushatë të ashpër dezinformuese e me veprime të orkestruara të shumë dikastereve qeveritare kundër këtij projekti. NPB deri më tash është munduar të mos lejoj që interesat e saj të bëhen arenë ballafaqimi për politika ditore, mirëpo qëndrimin në këtë pozicion tashmë e ka të pamundur. Andaj, NPB për shkak se përmes këtyre veprimeve të orkestruara të udhëheqësve të shumë dikastereve qeveritare mund të ballafaqohet edhe me veprime që rrezikojnë qëndrueshmërinë e saj ekonomike në ndonjë procedurë të mundshme arbitrazhi, do të ndërmerr të gjitha veprimet e saj për të treguar para organeve të ndjekjes penale tejkalimet e qarta të kompetencave dhe ndërhyrjet e tyre të jashtëligjshme në një ndërmarrje lokale”, thuhet në reagim.

NPB njofton opinionin se ngelet e përkushtuar në realizimin e funksioneve të saja historike – atë të ndërtimit. “Ky projekt është parakusht themelor ekonomik që NPB në një periudhë afatshkurtër të hyjë në tregun e ndërtimit ashtu që të jetë e gatshme të ofrojë banim të përballueshëm në qytet”, thuhet në fund të reagimit.


MË SHUME NGA Lajme