Protestojnë punëtorët e Lotarisë, kërkojnë nga Qeveria miratimin e Ligjit
Për disa ditë më radhë, punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të cilët po kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Lotarinë e Kosovës si dhe mosmarrja e pagave për 60 punëtorë.
Ata po ashtu kërkuan që të rikthehen në punë meqë tash e sa kohë janë të papunë, raporton Ekonomia Online..
Miran Ademi përfaqësues i Lotarisë së Kosovës, tha se do të vazhdojnë me protesta, duke thëne se janë të certifikuar edhe në lotarinë evropiane.
“Deri sa të miratohet Ligji për Lotarinë e Kosovës, dhe çdo rajon i yni e ka ligjin për Lotarinë, vetëm tek ne nuk funksionon dhe madje jemi të certifikuar nga Lotaria Evropiane”, tha ai.
E për heshtjen e Qeverisë karshi kësaj çështje, ai tha se do të ndërmarrin masa tjera, duke përfshirë edhe grevën.
“Jo asgjë nuk kanë ndërmarrë. Nëse kështu nuk funksionon, ne duhet të ndërmarrim ndonjë masë tjetër, grevë ose diçka tjetër. Që 36 vite punoj në Lotarinë e Kosovës, dhe pa asnjë arsye na kanë larguar. Madje Qeveria e ka dërguar bordin e saj prej 5 anëtarëve për mbikëqyrjen e punës së Lotarisë së Kosovës dhe asnjë vërejtje nuk kemi pasur”, ka thënë ai.























