Familja e ish-zyrtarit të Doganës i reagon Sveçlës
Ndaj deklaratave të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla lidhur me vdekjen e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha i cili u gjet pa shenja jete në oborrin e Doganës në prill të këtij viti, ka reagua familja e të ndjerit.
Familja e Berishës nëpërmjet një reagimi për medie e kanë cilësuar të dëmshme e jo joprofesionale një deklaratën e ministrit Sveçla, që të hënën u dëgjua të thotë “vetëvrasje” pak minuta pasi e motra e Berishës u kërkoi krerëve të shtetit zbardhjen e rastit.
Në reagim thuhet se deklarime si kjo veçse e komplikojnë dhe vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pandikuar.
“Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Nga: Familja Berisha (familja e të ndjerit Luan Berisha, Toger në Doganat e Kosovës)
Reagim nga avokati dhe Familja Berisha me rastin e deklarimit të Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla
Lidhur me deklarimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sfeqla, të regjistruar në edicionin e lajmeve në “Klan Kosova”, më 8 nëntor 2021.
Pasi që motra e të ndjerit Luan Berisha kërkoi nga qeveritarët informacione për vrasjen e vëllait, Ministri Xhelal Sveçla, vetëm pasi ajo u largua i dha sqarim Kryeministrit Kurti duke i thënë se “Luan Berisha u vetëvra”.
Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional.
Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre.
Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit.
Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve.
Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër.
Mr.Sc Flakron Sylejmani























