Balluku: By Pass-i i Vlorës përfundon para sezonit veror
BKT
Shqipëri

Balluku: By Pass-i i Vlorës përfundon para sezonit veror

Ministrat njoftojnë vendimet: Miratohet plani i veprimit antitrafik të njerëzve

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa vendime këtë të mërkurë. Siç është bërë traditë tashmë me qeverinë e re, ministrat dolën para Kryeministrisë dhe njoftuan për mediat vendimet e marra në fushat e tyre. E para ishte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha se janë kaluar tre akte që lidhen me shpronësimet. Një ndër to edhe shpronësimet në By Pass-in e Vlorës. Sipas Ballukut, synimi është që ky projekt të përfundojë para sezonit të ardhshëm veror. Megjithatë, ministrja u ndal tek reforma në ujësjellës që sipas saj do të nisë intensivisht për të rritur mirëmenaxhimin në të gjitha bashkitë. Balluku tha se reforma e këtij sektori pritet që të përfundojë brenda 12 muajsh.

Belinda Balluku: Sot MIE kaloi tre akte që janë lidhur me shpronësimet në By Pass-in e Vlorës, për të vazhduar punën që kemi nisur dhe për ta përfunduar para sezonit veror 2022, në Patos për të vazhduar me projektin e rivitalizimit të qendrave të qytetit për një shëtitore që do të ndërtohet aty, në kuadër të rilindjes së qyteteve dhe ndërkohë një shpronësim në zonën e Roskovecit për një investim sa i përket ujësjellësave. Është pjesë e strategjisë së qeverisë për të investuar intensivisht tek ujësjellësat kudo në Shqipëri. Nga takimi  fundit më kryeministrin dhe kryetarët e bashkive tashmë kemi nisur një reformë të thellë të sektorit e cila do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe që synon startimin e një mënyre të re menaxhimi. Fondet që janë investuar në sektorin e ujit, gjatë 3 viteve të fundit, kanë rritur kushtet teknike të operimit, por ajo që ne vërejmë, nga indikatorët që shprehen vetë nga ujësjellësat, nuk janë indikatorët që prisnim pas kësaj shume të investuar dhe punës intensive që qeveria ka bërë. Në përputhje të plotë me autonominë vendore, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore për qytetarët janë prioritet për qytetarët ne do të nisim intensivisht reformën për sektorin e ujit për të rirtur mirëmenaxhimin në të gjitha bashkitë. Janë diskutuar disa mundësi, nga agregimi i disa prej ndërmarrjeve e deri tek bashkëmenaxhimi mes pushtetit vendor dhe qeverisë.

Vendime kishte edhe ministren e Rinisë. Bora Muzhaqi tha se në kuadër të projektit “Gati për Shqipërinë” janë zhvilluar një sërë intervistash. Ajo njoftoi dy vendimet që janë marrë e që sipas saj do të lehtësojnë punësimin e studentëve ekselentë në administratë.  

Bora Muzhaqi: Sot është ditë e bukur për ta janë miratuar dy vendime. Pjesa e parë do të jetë për studentët e ekselentë edhe të arrirë jo vetëm për ata që kanë studiuar në Shqipëri edhe për ata jashtë Shqipërisë që mund të përshihen nëpërmjet kontratave 1-vjeçare në të gjitha institucionet shtetërore duke përfshirë ministritë, por edhe institucionet e tjera të varësisë. Nuk është nismë e përkohshme, por një nismë që duam ta vazhdojmë, ta vijojmë edhe më tej në të ardhme. Do të ngrihen qendrat e ekselencës të cilat do të jenë në institucionet kryesore që janë vendosur si të nevojshme për t’i pasur këto qendra. Do të përfshijmë të gjithë ata që kanë shprehur idetë e tyre për projekte të ndryshme.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njoftoi miratimin e planit të veprimit antitrafik të njerëzve.

Bledi Çuçi: Sot miratuam planin e veprimit antitrafik të personave si një pjesë e strategjisë sonë kundër krimit të organizuar. Plani veprimit për vitin 2022 përmban veprime konkrete të shumë institucioneve shtetërore dhe jo vetëm. Trafiku njerëzor është kompleks dhe qasja është shumë dimensionale. Besoj se do ketë adresim konkret që fillon që nga parandalimi i këtij fenomeni, deri tek rehabilitimi i trafikut të personave. Plan-veprimi është pjesë e një strategjie 4 vjeçare kundër krimit të organizuar dhe është përgatitur nga shumë institucione shqiptare me kryesimin e ministrisë së brendshme dhe partnerët tanë që na ndihmojnë.

Dy projektvendime ishin marrë edhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Një ndër to kishte të bënte me vullnetarizmin. Sipas ministrit Niko Peleshi, vullnetarët kanë mundësi tashmë që të trajtohen denjësisht.

Niko Peleshi: Dy projektvendime të Ministrisë së Mbrojtjes u miratuan sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Projektvendimi i parë ka të bëjë me përditësimin e listës së artikujve të teknologjive me përdorim të dyfishtë. Pra të artikujve të përdorimit që kanë riskun e përdorimit për qëllime të dyta, nga ato të parat që janë të detyrueshme. Projektvendimi i dytë që sot është vendim, synon të nxisë vullnetarizmi. Vullnetarizmi pas ‘90 nuk ka pasur ditë të mira, por sot jemi krenarë që na bashkohen në përpjekjet tona jo vetëm në fushën e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, por ajo që është më e shpeshtë, përballja me fatkeqësitë natyrore. Me këtë projektvendim u japim mundësi institucioneve që të trajtojnë me dinjitet vullnetarët. Kërrkon vëmendje në trajtim. Përmes VKM kemi mundësinë që të trajtojmë me transport, akomodim, ushqim dhe një pagesë dinjitoze të gjithë vullnetarët që përfshihen në aksionet tona. /tvklan.al


MË SHUME NGA Shqipëri