Mekanizmi për krime e luftës, sistem i vonuar 20 vjet
BKT
Lajme

Mekanizmi për krime e luftës, sistem i vonuar 20 vjet

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka vlerësuar shumë pozitiv vendimin e qeverisë për miratimin e koncept-dokumentit për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Arbenita Marmullaku/Radio Kosova

“Nëse ky mekanizëm do të funksiononte si duhet, do të siguronte dokumente, materiale dhe  informata, të cilat më pas do të përdoreshin edhe nëpër procedura penale të personave, që dyshohet se kanë kryer krime lufte”,  vlerësoi Miftaraj.  

Qeveria e Kosovës, ka miratuar draft koncept-dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, mekanizëm ky i cili parashihet të bëhet me ligj të veçantë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky koncept dokument, rekomandon themelimin e mekanizmit përmes një ligji të veçantë, duke shtuar se 22 vite pas luftës, adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, është shumë larg prej asaj që na duhet.

“Ne nuk mund ta zhbëjmë as të kaluarën e as ta kthejmë kohën prapa për të adresuar krimet që do të duhej të ishin adresuar shumë kohë më parë, por mund ta bëjmë më të mirën në rrethanat që jemi pas më shumë se dy dekadash. Shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës, do të trajtohen përmes këtij mekanizmi", ka thënë Kurti.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radio Kosovën se kjo nismë ishte edhe në kohën e Hajredin Kuçit kur ishte ministër i Drejtësisë,  i cili e kishte themeluar Institutin për Krime të Luftës në Kosovë, që kishte qëllim mbledhjen, dokumentimin, sistematizimin e gjitha materialeve e dokumenteve lidhur me atë që ka ndodhur në luftën e fundit. Pastaj ky Institut ishte mbyllur dhe tani me iniciativë të re, sipas tij, po ri-themelohet diçka që ka qenë e themeluar para më shumë se 10 vjet.  Miftaraj ka treguar se për çfarë mund t’i shërbejë ky mekanizëm Kosovës.

"Në radhë të parë do të duhet të bëhej një analizë, punë të cilën e ka kryer Instituti për Krime të Luftës, se çka është mbledhur deri më tani pastaj për të vazhduar këtë iniciativë të kryeministrit Kurti. Nëse ky mekanizëm do të funksiononte si duhet do të kishte kapacitete të duhura njerëzore dhe profesionale, sigurisht që dokumentimi, formatizimi përpunimi i këtyre informatave, materialeve që pranohen, të cilat shërbenin në radhë të parë për të dokumentuar tani më me dokumentet përcjellëse për krimet e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, të njëjta pastaj nëse do të merren në bazë të asaj që përcakton ligji mund të përdoren edhe për procedura penale të personave që dyshohet se kanë kryer krime”, u shpreh Miftaraj.   

Sipas tij, tashmë Kosova është vonuar për 20 vjet, sepse i njëjti material, do të mund të ishte shfrytëzuar potencialisht nëse Kosova do të mund të ushtronte padi ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

 


MË SHUME NGA Lajme