Mediu dorëzon në Kuvend projektrezolutë për Kosovën dhe Ballkanin
BKT
Shqipëri

Mediu dorëzon në Kuvend projektrezolutë për Kosovën dhe Ballkanin

Partia Republikane opozitare në Shqipëri dorëzoi një projektrezolutë për miratim Kuvendit për rrezikshmërinë e rikthimit të luftërave në Ballkan.

Kryetari republikan deputeti Fatmir Mediu tha se projektrezoluta është për raport me zhvillimet e fundit në rajon.

Projektrezoluta thotë se Kuvendi duhet të vendosë që si anëtare e përkohshme në dy vitet e ardhshme në OKB-së, Shqipëria të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën dhe gjithashtu që të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

"Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, një qëndrim dhe një frymë bashkëpunimi"-tha ai, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Zoti Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, tha se është shqetësuese gjendja ballkanike për shkak të rritjes së tensioneve ndëretnike.

Në projekt theksohet që të miratohet nga Kuvendi kjo rezolutë duke ndjekur rritjen e tensioneve ndëretnike me rrezikshmëri të lartë në Ballkan, për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

"Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga PE, Republika Srpska për t’u shkëputur nga Bosnja, që çon në shembjen e marrëveshjes së Paqes së 1995, duke i parë të ndërlidhura narrativat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shpresoj dhe besoj se nuk jemi në prag lufte, por Shqipëria duhet të marrë hapat parandalues. Si vend anëtar në NATO, duhet ta shtrojmë në NATO këtë çështje"-shtoi zoti Mediu.


MË SHUME NGA Shqipëri