Këshilltari i Presidentit Thaçi bën thirrje për ta votuar Përparim Ramën
BKT
Lajme

Këshilltari i Presidentit Thaçi bën thirrje për ta votuar Përparim Ramën

Ish këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, njëherit edhe ish ambasador i Republikës së Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Grajçevci, iu ka bërë thirrje qytetarëve të Prishtinës që të dielen të dalin masovikisht dhe ta votojnë Përparim Ramën për kryetar të Prishtinës.

Në vazhdim postimi i plotë i z.Grajçevci:

Të dashur qytetarë të Prishtinës,

Nga debatet e fundit televizive dhe fushata në përgjithësi, tashmë është bërë krejtësisht e qartë që, arkitekti dhe urbanisti i shquar, Perparim Rama, është pakrahasimisht kandidat më i qëlluar, më profesional, më i përkushtuar, se sa kundërkandati i tij, Arben Vitia. Nga ky i fundit, argumenti më i shpeshtë që e kemi dëgjuar është që ai e ka mirë me qeverinë aktuale. Ky është shantazh i pastër dhe përpjekje e dëshpëruar për korruptim të votuesve të Prishtinës. Kjo nuk mund të kalojë në demokraci.

Përparimin e njoh nga Londra, gjatë kohës sa isha ambasador i Kosovës atje. Komuniteti ynë në Britani të Madhe ka nxjerrë shumë figura të shquara, në fusha të ndryshme, me të cilët krenohemi të gjithë. Por, pak janë ata që më janë dukur më të përkushtuar ndaj Kosovës, dhe shqiptarëve në përgjithësi, se sa Përparimi. Ai ka lartësuar emrin e Kosovës kudo, përmes çmimeve të ndryshme prestigjioze ndërkombëtare në arkitekturë, pjesëmarrjes në biennale të ndryshme artistike, përmes organizimit të aktiviteteve të shumta humanitare dhe lidhjes së tij të ngushtë emocionale me qytetin e tij të lindjes, Prishtinën.

Përparimi ia arriti që të përparojë në shkollim dhe karrierë në një qytet super kompetitiv si Londra. Ka krijuar një jetesë solide për veten dhe familjen e tij, me punën e tij, duke ushtruar profesionin e tij. Ai ka shëtitur botën në profesionin e tij, por ai, për asnjë çast, nuk e ka harruar Kosovën dhe, sidomos, Prishtinën e tij. E mbaj mend që ai ka pasur gjithmonë ide të shumta se si të ndihmojë më shumë, si të investojë dijen e tij për Kosovën. Takimet me të kanë qenë gjithmonë frymëzuese dhe motivuese, edhe për mua.

Përparimi, të cilin e njoh unë dhe komuniteti shqiptar në Britani të Madhe, e që tash e njeh edhe krejt Prishtina, do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Prishtinës, pa dallim. Prandaj edhe u bëj thirrje të gjithë votuesve në Prishtinë, që të dielën të dalin masivisht, dhe ta votojnë Përparimin, pa dallim partie. Kthimi i trurit të Përparimit na duhet si anjëherë më parë. Kthimi i Përparimit është vlerë e shtuar për Prishtinën. Është diçka për t’u krenuar, e assesi për t’u kritikuar.

Në fund, duke e njohur Përparimin edhe si njeri me vlera të larta familjare, ai, së bashku me gruan e tij sharmante, Kristalé Ivezaj Rama, e cila është mbase edhe më e zonja së vetë Përparimi, bashkë që të dy, do t’i japin një sharm të veçantë Prishtinës, brenda dhe jashtë saj.

Vota për Përparimin është votë për një Prishtinë më të mirë, më moderne, më të përparuar, më londineze.

Veç ma jua vizatu


MË SHUME NGA Lajme