Rama paralajmëron largimin e mësimdhënësve të paaftë
Politikat në arsim dhe mbështetja financiare e këtij sektori ka qenë temë bosht e paraqitjes mediale të kryeministrit Edi Rama.
Ai tha fillimisht paraditen e kësaj të shtune se se për të gjithë mësuesit do të ketë rritje pagash me këtë buxhet të ri. Zoti Rama ishte i pranishëm në prezantimin e buxhetit për vitin 2022 të Ministrisë së Arsimit.
Megjithatë kryeministri vërejti nevojën rritjes së cilësisë në drejtimin e shkollës si dhe të mësimdhënies, raporton korrespondenti i RKT-së Denion Ndrenika.
Ai theksoi se nëse ne nuk kemi drejtimin e shkollës në nivelin e duhur në çdo shkollë, pra pa një drejtim nga lart brenda shkollës është e pamundur. Sipas kryeministrit, qeverisja e tij socialiste prej së kur erdhi në 2013, ka “bërë shumë dhe gjithmonë kur them “shumë” duhet bëtë skonto, se sa herë them shumë është raport me nga ku jemi nisur, jo raport me ku duam të shkojmë”.
“Kemi bërë shumë për mësuesit, për t'i nxjerrë nga vorbulla e tmerrshme e pasigurisë për shkak të politizimit, për shkak të ndërhyrjeve, korrupsionit, bakshishit, të fisit, ët tarafit që e bënte pozicionin e tyre komplet të pasigurt dhe për t'i dhënë mundësinë të gjithë mësuesve që ta realizojnë këtë me meritën e tyre, përmes një sistemi objektiv që bëhet me meritën e tyre”-arsyetoi ai.
Kryeministri pranoi se pavarësisht rasteve të shpërdorimit me sistemin arsmor, me rëndësi është se është një përqindje shumë e vogël në raport me pjesën tjetër.
“Kemi drejtues shkolla sh që nuk e meritojnë, kemi drejtues shkollash që janë nën nivelin e pjesës më të madhe të mësuesve dhe të mësuesve të një kolektivi mësimor, kemi drejtues shkollash që janë "out" dhe këtu është e qartë për mua, është e qartë për ministren, që duhet ndërhyrë në mënyrë që drejtuesit me vlerë të mbështeten dhe të motivohen maksimalisht, ndërsa drejtuesit që i ka kaluar me kohë e me vakt koha të largohen”-tha zoti Rama.
Kyç në trajtimin e problematikave kryeministri theksoi se ka qenë ndarja e mësimdhënies, arsimit në tërësi, nga politika. “Nuk ka rëndësi se çfarë bindjesh politike ke, nuk ka rëndësi se nga je, nuk ka rëndësi se çfarë statusi financiar ka bashkëshorti ose se çfarë lidhjesh ka familja, rëndësi ka aftësia dhe merita. Duhet bërë një skanim i plotë, objektiv i drejtë, i të gjitha kapaciteteve drejtuesve të shkollave dhe kush nuk e meriton të hapë krahun për t’ja lënë vendin dikujt tjetër”-tha zoti Rama.























