Gjykata e Lartë hap garën për vakancat në Kushtetuese
Gjykata e Lartë ka nisur sërish procedurat për plotësimin e 3 vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Anëtarët e saj duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Gjykata e Lartë, po ashtu, ka hapur procedurën edhe për vendin vakant pas largimit të gjykatësit Gani Dizdari.
“Kryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë shpalljen publike për plotësimin e tyre, përkatësisht në datat 16.01.2017, 21.11.2018. 19.04.2019 dhe 03.06.2021. Për të tri thirrjet e para ka rezultuar një numër i pamjaftueshëm i kandidatëve.
Kjo situatë është bërë shkak për moszhvillimin e procedurave të mëtejshme nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë. Për sa u përket kritereve dhe kushteve të emërimit, gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte: të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, diplomë e nivelit të dytë; të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit; të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi; të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese u bë funksionale në fillim të vitit 2021 ndërsa aktualisht ka 7 anëtarë, me kryetaren Vitore Tusha së cilës i ka përfunduar mandati, ndërsa plotësimi i saj me 9 anëtarë është një synim.
Nga ana tjetër, mbledhja e posaçme e drejtuesve të institucioneve të arsimit të lartë dhe Shkollës së Magjistraturës për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka zgjedhur dy anëtarët e saj nga trupa e pedagogëve.
Avokati Saimir Vishaj, i cili ka marrë 12 vota pro, është zgjedhur si anëtar i KLP-së me diferencë nga dy kundërshtarët e tij. Ndërsa si anëtar i KLGJ-së është zgjedhur Endri Papajorgji me 12 vota kundrejt 6 që ka marrë kandidati tjetër, Indrit Shtupi./panorama.al























