Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton buxhetin 2022
BKT
Shqipëri

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton buxhetin 2022

Komisioni për Sigurinë Kombëtare u mblodh sot nën drejtimin e kryetarit Nasip Naço për shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për buxhetin e Vitit 2022”, si dhe miratimin e kalendarit të komisionit për periudhën 18 nëntor – 9 dhjetor.

Në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të linjës.

Deputetët e opozitës kërkuan që Komisioni i Sigurisë Kombëtare të marrë informacion nga Policia e Fierit në lidhje me ngjarjen e rëndë të dy ditëve më parë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryetari Ferdinand Xhaferaj tha se nuk do ishte në seriozitetin e komisionit të kalonte pa u ndalur te rasti i ngjarjes së Fierit.

“Duhet të kërkojmë ndjesë të gjithë në ato pak përgjegjësi që kemi. Ishte një ngjarje që mund të parandalohej, sepse personi ishte i skeduar dhe ku është policia, ku janë gjithë ato milionë lekë që janë hedhur për policimin në komunitet? Ku është Shërbimi i Provës? Ku është shërbimi social, institucionet e mjekimit të detyrueshëm? Kryeministri thotë se është ngjarje që të le pa falë. Të lë pa fjalë, se nuk ke bërë punën. Është detyra jonë si Komision Sigurie t’i kërkojmë informacion Policisë së Fierit. Sa herë ka shkuar inspektori i policisë në atë rrugicë? Ne duhet të ndalemi dhe ta mbikëqyrim policinë edhe për këtë rast, sepse nuk është bërë punë”, tha ai.

Nga ana e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se me ngjarjen e Fierit u prek gjithë shoqëria dhe ngjarja ndodhi për shkak të mungesës së sigurisë. “Nëse nuk ka reagim qeveritar, atëherë reagim njerëzor duhet të ketë, sidomos në Parlament dhe Komisionin Sigurisë”, tha ai.

“Askush nuk po ia faturon askujt në këtë komision ngjarjen që ka ndodhur, por do të duhet të kemi një reagim si komision. Minimumi është të shohim a e kanë bërë detyrën institucionet qeveritare, policia. Policia është ajo që do të duhet të kontrollojë territorin dhe të identifikojë të gjitha pikat e rrezikut”, tha Alibeaj.

Sekretarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Antoneta Dhima kërkoi të mos bëhet politikë me ngjarje të tilla.

Pas diskutimeve jashtë rendit të ditës nga deputetët e opozitës, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço hodhi në votim miratimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2022” nen për nen dhe në tërësi, i cili u miratua me shumicë votash.

Po ashtu, Komisioni miratoi kalendarin për periudhën 18 nëntor – 9 dhjetor./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri