Prokurorët e SPAK-ut duan mandat të përjetshëm
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka komentuar kërkesën e prokurorëve të SPAK-ut, të cilët kanë kërkuar mandat të përjetshëm në këtë detyrë, që të mos kufizohet në 9 nvjet ashtu sikurse është përcaktuar në Kushtetutë.
“Po është e vërtetë. Prokurorët e SPAK kanë kërkuar që të mos ketë kufizim të mandatit të tyre prej 9 vitesh. E kemi marrë kërkesën jemi në diskutime të karakterit teknik. Ky përcaktim është i fiksuar në Kushtetutë. Dhe nëse do të duhet të bisedojmë me prokurorët e SPAK për heqjen e këtij kufizimi patjetër që do të kërkojë ndërhyrje në Kushtetutë. Ne jemi të hapur për bisedime. Kërkesa a e tyre në gjykimin tim është legjitime, për sa kohë edhe prokurorët e tjerë nuk kanë kufizim të mandatit,” u shpreh ministri Manja.
Bëhet fjalë për 15 prokurorë të SPAK-ut, që i kanë dërguar Kuvendit një shkresë, ku thonë se mandati i tyre 9 vjeçar nuk është i mjaftueshëm. Sipas prokuorëve, domosdoshmëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk mund te kufizohet në kohë.
Gjithashtu shtojnë se janë trajnuar për një kohë të gjatë dhe se tek ata është investuar, duke e cilësuar me kosto të mëdha dhe të pajustifikuara që e njëjta procedurë të ndiqet sërish pas 9 vitesh me një grup tjetër prokurorësh.
Sipas tyre, funksionet me mandat të kufizuar sjellin rënie të efektivitetit në punë gjatë vitit të fundit, ndërsa shtojnë se vetingu ka sjellë mungesa në gjyqësor dhe se do jetë e vështirë të zgjidhet një grup tjetër prokurorësh./rtsh























