Ngrihet padi ndaj Baldwin dhe producentëve lidhur me incidentin fatal
Baldwin dhe ekipi i prodhimit të filmit janë paditur nga konsulentja e skenarit Mamie Mitchell, pasi aktori shkaktoi vdekjen e kineastes Halyna Hutchins si pasojë e shkrepjes së një arme që i ishte dhënë “gabimisht” në xhirimet e filmit.
Një padi është ngritur kundër aktorit Alec Baldwin dhe producentëve për aksidentin fatal me armë në xhirimet e një filmi në SHBA në të cilin ishte i përfshirë aktori me famë botërore.
Sipas mediave amerikane, Baldwin dhe ekipi i prodhimit të filmit janë paditur nga konsulentja e skenarit Mamie Mitchell, pasi aktori shkaktoi vdekjen e kineastes Halyna Hutchins si pasojë e shkrepjes së një arme që i ishte dhënë “gabimisht” në xhirimet e filmit në shtetin New Mexico.
Në mesin e pretendimeve në dosjen e dorëzuar në Gjykatën e Lartë në Los Angeles nga avokatët e Mitchell-it, e cila thuhet se ishte personi i parë që telefonoi linjën 911 pas aksidentit në xhirimet e filmit “Rust”, përfshihen deklarata akuzuese si “sulm , shqetësim emocional i qëllimshëm dhe dëmtim i qëllimshëm”.
“Çdo protokoll sigurie i krijuar për të garantuar përdorimin e sigurt të armëve të zjarrit është shpërfillur dhe masat e marra kanë qenë në kundërshtim me të gjitha normat e industrisë”, shkruan avokatët e Mitchell-it në padi.
Dosja gjithashtu pohon se Baldwin karikoi dhe qëlloi qëllimisht armën e mbushur “pavarësisht nga fakti se skenari për skenën që do të xhirohej nuk përfshinte përdorimin e një arme”.
Aktori Alec Baldwin vrau kineasten 42-vjeçare Halyna Hutchins me armën që përdori gjatë xhirimeve të filmit “Rust” në New Mexico më 21 tetor, kurse regjisori 48-vjeçar Joel Souza u plagos dhe u shtrua në spital.























