Nga janari deri në nëntor 98 të vdekur në aksidente trafiku
Albulena Bytyqi
E diela e tretë e muajit nëntor shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave të Trafikut Rrugor në të gjithë botën. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në nëntor të këtij viti në vendin tonë kanë vdekur 98 persona si pasojë e aksidenteve në trafik.
Zyrtarë të Policisë kanë bërë të ditur se këtë vit ka rënie të numrit të viktimave në krahasim me vitet paraprake. Ndërsa shkaktarët kryesorë të aksidenteve mbeten pakujdesia e shoferëve, përkatësisht shpejtësia e pakontrolluar dhe mosrespektimi i shenjave të trafikut.
Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor në Policinë e Kosovës, nënkolonel Jeton Rexhepi, tha për Radio Kosovën se këtë vit ka rënie të numrit të viktimave në trafikun rrugor, në krahasim me vitet paraprake. Ai shtoi se pjesa me e madhe e viktimave ne komunikacionin rrugor janë shoferët, ndërsa ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve është mos respektimi i kufizimit të shpejtësisë.
"Nëse u referohemi të dhënave statistikore të Policisë së Kosovës , nga data 1 janar e këtij vitit deri me 17 nëntor 2021 në vendin tonë kanë vdekur 98 persona dhe nëse i referohemi vitit 2019 kemi dy viktima më pak. Nëse flasim për numrin e personave te vdekur, 42% janë shoferë, 34% janë pasagjerë, ndërsa 24 janë këmbësorë", tha Rexhepi.
Edhe këtë vit me shumë aktivitete është shënuar dita e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor duke kujtuar miliona njerëz që kanë humbur jetën në rrugët e gjithë botës. Muhamet Krasniqi, ekspert i komunikacionit nga Akademia “Tempulli”, tha se këtë javë në kuadër të shumë aktiviteteve po i përkujtojnë dhe nderojmë miliona viktima që kanë humbur jetën në rrugët e botës.
"Gjatë gjithë javës kemi pasur aktivitete duke përkujtuar dhe nderuar 1.3 milion viktima që kanë humbur jetën në rrugët e botës. Po mbështesim miliona të lënduar të tjerë si pasojë e aksidenteve në trafikun rrugor, dhe mbesim afër familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre", tha Krasniqi.
Sipas ekspertëve të komunikacionit ndër shkaktarët kryesorë të aksidenteve në Kosovë janë është pakujdesia e shoferëve, përkatësisht shpejtësia e pakontrolluar, mosrespektimi i shenjave të trafikut dhe vjetërsia e automjeteve.
Ndryshe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se kjo ministri do të angazhohet në vazhdimësi që të përmirësojë infrastrukturën rrugore, në mënyrë që të kemi sa më pak aksidente me fatalitet.























