​LDK dorëzon ankesë në Supreme për fletëvotimet me postë në Dragash
BKT
Lajme

​LDK dorëzon ankesë në Supreme për fletëvotimet me postë në Dragash

LDK gjatë ditës ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me anulimin e fletëvotimeve me postë në Dragash.

Zëdhënësja politike në LDK, Sibel Halimi tha se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të raundit të parë nga KQZ.

 

“Sot LDK ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën mbi vendimin skandaloz të PZAP dhe tre gjyqtarëve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetar në komunën e Dragashit. Dje në një vendim të pa-precedent për demokracinë dhe sistemin zgjedhor të Kosovës, tre gjyqtarë të PZAP-së kanë anuluar të gjitha votat e mërgatës, të gjitha pa përjashtim pa kontaktuar, pa verifikuar e pa kërkuar të vërtetën në Dragash”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se vendimin e PZAP-së do ta adresojnë në misionet ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve, si sulm i paprecedent të demokracisë.

“Provimi i anulimit është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë. LDK ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votuesve të Dragashit, në mërgatë për votat e tyre në raundin e dytë. Po ashtu, ka dorëzuar edhe gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit zgjedhor e vullnetit qytetar”, ka shtuar ajo.

E kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Dragashin, Bexhet Xheladini ka deklaruar se fitorja e tij është marrë nga tavolina.

PZAP-ja ka aprovuar ankesën e kandidatit të PDK-së, për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, dhe ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve. Pas numërimit të votave nga diaspora, Bexhet Xheladini nga LDK kishte marrë 244 vota, ndërsa Shaban Shabani vetëm 54, duke ndikuar në përmbysjen e rezultatit.


MË SHUME NGA Lajme