Venecia jep opinionin në fillim të dhjetorit për zgjatjen e Vetingut
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, Komisioni i Venecias pritet të japë opinionin e tij për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut në fillim të dhjetorit.
I pyetur në një komunikim me gazetarët, pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, se çfarë do bëjë PS për të fituar votat e opozitës për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut, Balla tha se, “nuk dua të bëj debat më për këtë çështje, as deklarata që nuk i vlejnë nevojës që ka Kuvendi për të vazhduar shqyrtimin në procedurë parlamentare. Tashmë kjo është një çështje që i takon Këshillit të Legjislacionit, Komisionit të Ligjeve, madje dhe Komisionit të Venecias, i cili është ftuar nga Kryetarja e Kuvendit për të dhënë një opinion urgjent për këtë çështje. Dhe me sa jam informuar Komisioni i Venecias e ka parashikuar në ditët e para të dhjetorit. Kështu që le ti shmangim diskutimet në publik për këtë çështje, por të prevalojë nevoja për të çuar para një nevojë që nuk u parashikua 5 vite më parë, por sot është një domosdoshmëri”.
Për kërkesën e prokurorëve të SPAK për mandat të pakufizuar, Balla tha se, “të mos harrojmë që bëhet fjalë për ndryshim kushtetues. Dhe ndryshimet kushtetuese kanë një procedurë tepër të veçantë të parashikuar nga Kushtetuta dhe nga libri i rregullave të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka një depozitim me firma deputetësh, të cilët janë i vetmi instrument që e fusin këtë nisëm në procedurë. Koha në dispozicion është e mjaftueshme sepse asnjë prej anëtarëve, prokurorëve të Prokurorisë Speciale nuk është në fund të mandatit të tij, por është thuajse në fillim të mandatit. Kështu që do kemi kohë, do ta diskutojmë. Jo si kryetar grupi, por si një deputet i thjeshtë, sepse vendimet në emër të grupit merren kur grupi parlamentar mblidhet dhe e diskuton, në këndvështrimin tim, nga eksperienca tashmë prej shumë vitesh si ligjvënës, mendoj se kjo është një çështje që meriton të vlerësohet, po të nisemi nga ecuria e deritanishme. Dhe meriton të vlerësohet dhe pse jo të mos mbështetet. Por unë nuk dua të hyjë në diskutim për këtë çështje sepse nuk ka një nisëm të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, nuk ka hyrë në procedurë parlamentare dhe si e tillë le të fokusohemi tek ato që kemi aktualisht në vazhdim në punën e përditshme të Kuvendit”.
Balla shtoi gjithashtu se në mbledhjen e grupit është diskutuar edhe për buxhetin 2022 dhe paketën fiskale.
“Sot kemi diskutuar në grupin parlamentar plot çështje që lidhen me paketën fiskale dhe me buxhetin. Grupi parlamentar i PS do të mbështesë plotësisht paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit për vitin 2022. Jo vetëm është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, por mendoj që është edhe buxheti më i drejtë për sa i përket parimeve të drejtësisë sociale”, tha Balla.























