PD:Ilir Meta nuk mund ta përçajë partinë, hallin personal s’ia zgjidhim dot
Partia Demokratike e Shqipërisë i konsideron deklaratat e presidentit Ilir Meta si një tentativë për të përçarë partinë më të madhe opozitare në vend.
Meta deklaroi sot se kreu i demokratëve gënjeu mbështetësit e opozitës, duke i thirrur në protesta para zgjedhjeve vendore të 2019. Ai zbuloi se në fillim të qershorit, kur ndodhej për një vizitë në Gjermani ishte takuar atje me Lulzim Bashën, ku demokrati i ishte lutur që të anulonte zgjedhjet, pasi ky i fundit nuk mund të kontrollonte dot protestën e 8 qershorit.
Në lidhje me këtë, Partia Demokratike thotë se simpatizantët e saj e njohin mirë se kush është Ilir Meta dhe sipas saj asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë.
“Demokratët e njohin mirë atë, ia dinë bëmat dhe gjëmat, se si e përdori pushtetin në kurriz të tyre dhe asnjë përpjekje e ulët për përçarje nuk do t’i funksionojë”, citohet nga deklarata e PD-së.
Në të njëjtën deklaratë, theksohet se Metës demokratët nuk i kanë asnjë borxh dhe mbi të gjitha nuk ia zgjidhin dot hallet.
“Ne demokratët nuk i kemi asnjë borxh dhe nuk ia zgjidhim dot hallet e tij”, shkruan PD.
Meta iu kundërpërgjigj akuzave të pak javëve më parë të kryetarit demokrat Basha, i cili gjatë një ndërhyrjeje në parlament foli për “Trekëndëshin e Bermudave”, apo “Trekëndëshin e së keqes” ku ai përfshiu ish kryeministrin Sali Berisha, kreun e shtetit Meta dhe kryeministrin Edi Rama.
Meta deklaroi se Basha nuk mund t’i shmanget përgjegjësive të tij e të shpikë gjithnjë fajtorë.
Kreu i shtetit tha se nuk dëshironte të hynte në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike. Megjithatë, ai deklaroi se “është një fakt që, opozita ka një problem të rëndësishëm, legjitimitetin e lidershipit të saj. Është një lidership që nuk mban përgjegjësi dhe gjithmonë do shpikë një fajtor”.
Meta u shpreh më tej se “këshilla që i kam dhënë gjithmonë kreut demokrat Basha ka qenë, ta respektojë gjithmonë ish-kryeministrin Berisha, por të vendosi vetë edhe kur Berisha, ai mendon që mund ta ketë gabim. Por asnjëherë të mos bjerë viktimë e diversioneve për të injoruar kontributet e tij, apo vlerat e tij, sepse në fund të fundit dihen këto vlera”./tch























