Kurti takon në Austri përfaqësues të Komunitetit të Energjisë
BKT
Lajme

Kurti takon në Austri përfaqësues të Komunitetit të Energjisë

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, kryeministri Albin Kurti është pritur në takim nga Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit dhe Arben Kllokoqi, ekspert i Tregut të Energjisë Elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

Përfaqësuesit e Komunitetit të Energjisë theksuan gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në çdo aspekt të mundshëm, përfshirë vizionin për sektorin e energjisë dhe për tranzicion energjetik.

Dekarbonizimi është i mundshëm dhe Kosova mund të bëhet një rast, që dëshmon se mund të bëhemi më të gjelbër edhe kur 95% të prodhimit varet nga lëndët djegëse fosile, thanë ata.

Në takim u tha se Kosova duhet të shfrytëzojë kapacitetet e saj të qymyrit, ndërsa duhet filluar largimi gradual në mënyrën e duhur, si dhe të ketë masa rehabilituese për të mbështetur tranzicionin.

Kurti veçoi punën e Qeverisë për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, që për herë të parë në Kosovë hartohet duke u bazuar në të dhëna e studime.

U fol edhe për bashkimin e tregjeve të energjisë, në përputhje me Agjendën Evropiane për integrimin e tregjeve.

Më tej u diskutuan çështjet problematike të ndërlidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po shfrytëzohet komercialisht, për shkak të pengesave nga pala serbe. U bisedua edhe për sfidat e furnizimit me energji elektrike, meqenëse po i afrohemi stinës së dimrit, në një periudhë të ngritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë elektrike, thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Lajme