Ambasadorja Geci Sherifi i dorëzoi letrat kredenciale në Letoni
Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Shkëndije Geci Sherifi, i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Letonisë, z. Egils Levits. Ceremonia u zhvillua në Kështjellën e Rigës. Me këtë rast Ambasadorja, Geci Sherifi, i përcolli përshëndetjet e përzemërta të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani për presidentin dhe popullin e Letonisë.
Gjatë takimit me presidentin Levits, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Letonisë, shtet ky që ndër të parët e ka njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe është dëshmuar përkrahës i madh i perspektives euro-atlantike të vendit tonë.
Ambasadorja Geci Sherifi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Letonisë në sfera të ndryshme e veçanërisht në fushën e edukimit. Në shkollën specializuar për drejtësi - Riga Graduate School of Law (RGSL), në të kaluarën por edhe aktualisht janë duke ndjekur studimet dhjetëra studentë nga Kosova.
Marrëdhëniet Kosovë-Letoni po thellohen në vazhdimësi, si në fushën e integrimeve euro-atlantike poashtu edhe në atë të mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë qëndrimit në Letoni, Ambasadorja Geci Sherifi ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues tjerë të lartë institucional, si me zv.kryeparlamentaren e Kryesisë së Parlamentit të Letonisë, znj. Inese Voika, Sekretarin e Shtetit në MPJ të Letonisë, z. Andris Pelšs, Shefen e Protokollit të Shtetit, znj. Elita Kuzma, Drejtorin e Departamentit për Ceshtje Evropiane, z. Gints Jegermanis dhe Drejtoren e Divizonit për Evropën Qendrore dhe Jugore znj. Kristine Rigerte.
Znj. Shkëndije Sherifi Geci është Ambasadore rezidente e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Suedisë që nga maji i vitit 2019, ndërkaq tani edhe Ambasadore jo-rezidente e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në Letoni. Ndryshe, Ambasada e Kosovës në Suedi, mbulon edhe pesë shtete tjera, Finlandën, Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Islandën.























