KQZ mblidhet për të diskutuar zbatimin e vendimit të Supremes për Dragashin
Sharr Travel

KQZ mblidhet për të diskutuar zbatimin e vendimit të Supremes për Dragashin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet sot, kjo pas vendimit të Gjykatës Supreme që të përsëritet votimi i diasporës për raundin e dytë të zgjedhjeve në Komunën e Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për KosovaPress se mbledhja e sotme që do të mbahet në ora 16:00 ka të bëjë me zbatimin e vendimit të Supremes.

“E konfirmoj se gjatë ditës kemi pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, përmes së cilit urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përsëritjen e raundit të dytë të votimit jashtë Kosovës që i takon Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi, gjatë ditës së sotme (e enjte, 25 nëntor, ora 16:00) KQZ-ja do të mbajë mbledhje. Lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, do të njoftoheni në këtë mbledhje”, ka treguar Elezi.

Ndërkohë që menjëherë pas vendimit të Supremes ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila në këtë komunë ka kandidatin e saj për kryetar, Shaban Shabani. PDK thotë se qytetarët pavarësisht se ku jetojnë do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre do të votojnë Shabanin për kryetar.

“Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme e cila sot rikonfirmoi se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar. Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme dhe pret që riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani.Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune. Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit”, thuhet në komunikatën për medie të PDK-së.

Në garën për të parin e Komunës së Dragashit janë kadnidati nga PDK, Shaban Shabani dhe ai i LDK-së, Bexhet Xheladini. Pas numërimit të votave nga diaspora Xhealdini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani 54 vota duke përmbysur rezultatin.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për 21 komuna u mbajt me 14 nëntor 2021. Ndërsa KQZ ka certifikuar 18 komuna nga 21 sa ishin.