Berisha: Basha i kapur me dosjen “Muzin”
Dosjen Muzin ia kujtoi sërish edhe nga foltorja me demokratët e Kuçovës, përmes së cilës tha se Kryeministri Rama e mban peng Lulzim Bashën.
“Bashkëautori për largimin tim nga PD, Lulzim Pengu, i cili i kapur me dosjen Muzin shkelmoi mbi sovranitetin e PD”.
11 Dhjetori tha se do jetë rithemelimi i Partisë Demokratike, ndërsa datën 18 e ironizoi si mbledhje të shoqatës Basha-Bardhi.
“Ftoj në 11 Dhjetor çdo delegatë të firmosë për PD e rithemeluar, ftoj çdo demokrat të mos shkojë, të braktise anti-kuvendin e datës 18, defakto mbledhjen e krimit të shoqatës Basha-Bardhi në një akt të turpshëm për të sfiduar pluralizmin politik në Shqipëri”.
Berisha zbardhi edhe disa prej vendimeve që do të marrë Kuvendi i thirrur nga delegatët.
Për të treguar braktisjen që sipas tij i ka bërë anëtarësia demokrate, Lulzim Bashës për referencë i solli një sondazh të ditëve të fundit.
Thirrjen për dorëheqje ia ripërsëriti sërish anëtarëve të kryesisë që tha se janë emëruar nga Basha në kundërshti me statutin.
“I ftoj ata që të gjithë të japin dorëheqjen për dinjitetin e tyre. Ju nuk mund të jeni anëtarë të shoqatës Basha-Bardhi”.
Delegatët e Kuvendit i ftoi të mos firmosin formularët e shpërndarë nga selia blu për thirrjen e kuvendit Kombëtar në 18 Dhjetor.
Jo vetëm Lulzim Bashën por edhe Edi Ramën e paralajmëroi për fundin që tha se e pret pas Kuvendit të 11 Dhjetorit./tvklan.al























