Nis dimri në zonat malore, borë dhe mot i keq në rrethe
Reshjet e dëborës nisën në fund të vjeshtës në veri e juglindje.
Këtë të premte, fshatrat turistikë të Dardhës e Boboshticës në Korçë u zgjuan nën petkun e bardhë.
Në Dardhë, siç tregojnë pamjet, reshjet ishin intensive në orët e para të mëngjesit çka detyroi nxjerrjen e borëpastrueseve në rrugë, ndërsa mjetet duhet të lëviznin me zinxhirë, transmeton oranews.
Më e dendur ka qenë në majë të Mashkullorës në Vithkuq, ku trashësia ka shkuar ne disa centimetra, por aktualisht nuk raportohen problematika.
Dëbora zbriti edhe në zonat Malore të Shkodrës, Valbonë të Tropojës dhe zbardhi edhe majat e maleve në qarkun e Dibrës.
Ndërkohë pjesa tjetër e vendit prej mbrëmjes së të enjtes është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive shiu dhe erë të fortë.























