Vëllazërore veteranësh për festën e Pavarësisë
Veteranët e Shqipërisë dhe Kosovës do të rikthehen në fushë për të luajtur një miqësore me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Vëllazërorja mes dy ekipeve që kanë në përbërje ish-futbollistë të famshëm të dy përfaqësueseve, do të luhet më 28 nëntor 2021, ora 11:30 në kompleksin “Olympic Park” në Durrës, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit.
Në traditën e krijuar tashmë prej kohësh, Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë rënë dakord për zhvillimin e kësaj vëllazëroreje, që do të luhet në një ditë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.
Në fund të ndeshjes do të dorëzohet edhe një trofe simbolik për ekipin fitues. Kjo do jetë miqësorja e tretë për këtë e vit mes veteranëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
E para u zhvillua më 16 shkurt 2021 në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa e dyta u luajt më 23 korrik 2021 po në Prishtinë me rastin e ditës së lindjes së legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.























