Ndërron jetë në spital ish-deputeti dhe ish-kreu i komunës Velipojë
Shqipëri

Ndërron jetë në spital ish-deputeti dhe ish-kreu i komunës Velipojë

Ndërron jetë në spital ish-kreu i komunës së Velipojës Pashko Ujka.

Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se 64-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, teksa ishte qëlluar me plumb në shpinë me armë me silenciator. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, Ujka ka ndërruar jetë pas rreth dy orësh nga atentati që iu bë pranë banesës së tij.

Policia ndërkohë është vënë në kërkim të autorit dhe ka ngritur disa postblloqe për kapjen e tij. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, megjithëse moti i keq vështirëson qartësinë e tyre.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, kur 64-vjeçari Pashko Ujka i cili ka qenë deputet në vitet 2005-2009 dhe Kryetar i Grupit Demokristian po lëvizte më këmbë me bashkëshorten e tij. Janë ende të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e tyre./bw