Lumezi vlerëson përkrahjen e Francës për Prokurorin e Shtetit
Sharr Travel

Lumezi vlerëson përkrahjen e Francës për Prokurorin e Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim përfaqësuesen e Shkollës Kombëtare Franceze të Magjistraturës, përkatësisht Magjistratit Ndërlidhës për Evropën Juglindore, Frédérique Dubost dhe përfaqësuesen e Ambasadës së Francës në Kosovë, Cécilia Maronnier.

Fillimisht, Kryeprokurori Lumezi njoftoi përfaqësuesit e delegacionit francez për punën, sfidat dhe efikasitetin e Prokurorit të Shtetit në trajtimin e lëndëve penale.

Nga ana tjetër, bartësit e funksioneve prokuroriale, u njoftuan nga znj. Dubost, më për se afërmi strukturën organizative, funksionin dhe punën e institucioneve të drejtësisë në Francë, me ç’rast palët shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin  ndërinstitucional, veçmas me Prokurorinë Kombëtare Financiare për çështjet e hetimit dhe luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë, krimeve ekonomike dhe krimit të organizuar.

Në këtë kontekst, si çështje me interes strategjik, u theksua mbajtja e trajnimeve të specializuara për prokurorët, të cilët merren me hetimet e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Shkollën Kombëtare Franceze të Magjistraturës dhe zhvillimi i vizitave studimore ndërmjet institucioneve respektive.  

Po ashtu, pjesë e rëndësishme e diskutimeve të përbashkëta ishin edhe shkëmbimi i përvojave në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve dhe bashkëpunimi juridik në luftimin e terrorizimit dhe krimeve të luftës, me theks të veçantë në bashkëpunimin për trajtimin e viktimave të krimit.

Kryeprokurori Lumezi ka falënderuar znj. Frédérique Dubost për vizitën e zhvilluar në institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar lart ndihmën dhe përkrahjen që shteti i Francës është duke dhënë për institucionin e Prokurorit të Shtetit. 

Në fund, bashkëbiseduesit, e vlerësuan takimin mjaft të dobishëm, produktiv dhe konkret për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.  


MË SHUME NGA Aktuale