Billie Eilish vjen si regjisore në këngën e re
Billie Eilish ka ndarë hollësi rreth videoprojektit të saj të ardhshëm, “Male Fantasy”, të cilin thotë se e ka drejtuar dhe montuar e vetme. Përmes rrjeteve sociale, Eilish ndau një klip të shkurtër të këtij projekti muzikor i cili e shfaq atë në një dhomë të errët, teksa në prapavijë dëgjohen tingujt e kitarës.
“Male Fantasy” lançohet gjatë ditës së hënë dhe shënon videoklipin e gjashtë nga albumi i dytë i këngëtares, “Happier Than Ever”. Eilish po ashtu e ka bërë regjinë e pesë projekteve të kaluara, si “Therefore I Am”, “Your Power”, “Lost Cause”, “NDA” dhe “Happier Than Ever” e cila titullohet sipas albumit.
Albumi i dytë i këngëtares 19-vjeçare u publikua në Korrik të këtij viti dhe u mirëprit nga fansat e saj anembanë botës. Eilish planifikon ta promovojë këtë projekt, i cili arriti të nominohet për çmim “Grammy” në kategorinë “Albumi i vitit”, përmes një turneu botëror i cili do të mbahet në vitin 2022.























