Perëndimi i vendosur të mbrojë sovranitetin e Ukrainës
Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Italia, Franca dhe Britania janë të gjitha në krah të Ukrainës përballë kërcënimeve ruse. Udhëheqësit perëndimorë i bëjnë thirrje Moskës të respektojë "integritetin territorial" të Kievit. Ata ritheksuan nevojën për të mbrojtur sovranitetin e Ukrainës përballë armiqësisë së vazhdueshme ruse.
Stuhia e diskutimeve rreth Ukrainës vjen përpara një video-konference të parashikuar mes presidentit amerikan Joe Bidendhe presidentit rus Vladimir Putin të martën. Në fund të javës së kaluar, media amerikane raportoi se zyrtarët e inteligjencës besojnë se Putini po përgatit një pushtim me një forcë prej 175,000 trupash.
Çfarë kanë deklaruar zyrtarët perëndimorë?
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të hënën, duke përsëritur “mbështetjen e palëkundur” të Uashingtonit për sovranitetin e Ukrainës ndërsa vendi përballet me “agresionin rus”, tha Departamenti i Shtetit.
Shtëpia e Bardhë dhe Downing Street konfirmuan se Biden, kryeministri britanik Boris Johnson, kancelarja gjermane AngelaMerkel, kryeministri italian Mario Draghi dhe presidenti francez Emmanuel Macron biseduan të gjithë të hënën në mbrëmje për situatën në Ukrainë, si dhe për kufirin e saj me Rusinë.
“Udhëheqësit i bënë thirrje Rusisë që të de-përshkallëzojë tensionet dhe ripohuan mbështetjen e tyre të vendosur për integritetin territorial të Ukrainës”, tha zëdhënësi i Johnson.
Ata gjithashtu “shprehën angazhimin e tyre për të vepruar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Evropë”, deklaroi zyra e presidentit francez Emmanuel Macron pas telefonatës.
Zyra e Macron i bëri thirrje Rusisë që të kthehet në formatin e bisedimeve të “4 Normandisë” që Franca dhe Gjermania udhëhoqën për të riangazhuar negociatat me Ukrainën.
Drejtori i CIA-s, Williiam Burns gjithashtu deklaroi të hënën se nuk do të nënvlerësonte oreksin e Putinit për rrezik.























