Presidenti Ilir Meta sulmon Kushtetuesen si aleate të qeverisë
BKT
Shqipëri

 Presidenti Ilir Meta sulmon Kushtetuesen si aleate të qeverisë

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese për vendimin e saj për zgjedhjet e 30 qershorit si aleate të qeverisë, duke deklaruar se vendimin i saj për këtë çështje e la atë pa zgjidhje përfundimtare.

Përmes një konferencë për mediat, këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, bëri të ditur qëndrimin e kreut të shtetit mbi atë që ai e konsideroi si “heqje dorë nga ushtrimi i funksionit të saj sublim”, duke i zhgënjyer të gjithë. Sipas tij, me vendimmarrjen e saj, Gjykata Kushtetuese, nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la çështjen, juridiksionit “politik”, duke mos përmbushur rolin që Kushtetuta i ka dhënë.

Kreu i shtetit kritikon Gjykatën Kushtetuese edhe në rastin e marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias, ndërsa thekson se vendimi i saj dhe qeveria janë në të njëjtën linjë arsyetimi, duke i hapur dyert abuzimit me Kushtetutën dhe ligjin imponimit të dhunshme të pushtetit të radhës.

Sa i përket hapave të mëvonshëm që do të ndjekë kreu i shtetit, Këshilltari Dervishaj tha se, kjo vendimmarrje kushtetuese nuk prek, nuk krijon asnjë detyrim dhe nuk nxjerr asnjë përgjegjësi, për asnjë nga palët e përfshira në këtë proces.

QËNDRIMI I PRESIDENTIT

QËNDRIMI I PRESIDENTIT Presidenti i Republikës, si palë e interesuar, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese, e cila është instanca e vetme e ngarkuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kushtetuese, kontrollin e kushtetutshmërisë së akteve apo vendimeve të nxjerra nga organet e pushtetit shtetëror, që të përmbushë rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë, në mënyrë të pavarur, të pandikuar duke adresuar dhe orientuar njëkohësisht dhe mënyrën e zgjidhjes së pasojave të rënda që kanë ardhur nga një proces votimesh monist, antikushtetues, i njëanshëm dhe fiktiv, siç ishte ai i 30 qershor 2019. Vetëm përmes një vendimmarrjeje të themeltë, Gjykata Kushtetuese, do t’i rikthente popullit shqiptar mundësinë që të shprehte vullnetin e tij përmes një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të fshehtë dhe në përmbushje të gjithë standardeve kushtetuese, ligjore e ndërkombëtare, për të zgjedhur përfaqësuesit e tij në pushtetin vendor.

Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen e saj për të deklaruar mungesën e juridiksionit kushtetues, faktikisht e la çështjen pa zgjidhje përfundimtare. Gjykata Kushtetuese, nuk pati vullnet ta zgjidhte këtë çështje përmes juridiksionit gjyqësor kushtetues, por ia la sërish çështjen, juridiksionit “politik”. Për t’iu shmangur themelit të çështjes dhe për ta bërë veten jo-kompetente, Gjykata Kushtetuese, gjatë veprimtarisë së saj, ka cenuar rëndë parimet e transparencës dhe të procesit të rregullt ligjor. Presidenti i Republikës është në krah të qytetarëve shqiptarë, të cilët e dinë më së miri të vërtetën e 30 qershorit 2019, është në krah të marrjes së vendimeve, dhe jo të shmangies së qëllimshme nga marrja e përgjegjësive, është në krah të shtetit të së drejtës, dhe jo të shtetit të kapur, dhe këto parime të palëkundura të Presidentit, nuk ka vendim gjykate, që të mund t`i ndryshojë.

KËRKESA E GJYKATËS PËR “VENECIAN”

Gjykata Kushtetuese, në datën 09.07.2021, i dërgoi Komisionit të Venecias kërkesën për dhënien e një opinioni, duke injoruar dhe fshehur pyetjen që kishte kërkuar Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, dhe duke orientuar Komisionin e Venecias. Shoqata e Bashkive kërkoi që Gjykata Kushtetuese t’i përcillte Komisionit të Venecias pyetjen: A është dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe ai për anulimin e saj, një akt me karakter të përgjithshëm ose akt normativ kushtetues apo është një akt administrativ nënligjor individual dhe në çdo rast, a mund të refuzohej zbatimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sikurse ka ndodhur, apo duhej që këto dekrete t’ju nënshtroheshin vlerësimit mbi kushtetutshmërinë vetëm nga Gjykata Kushtetuese mbi bazën e kërkimeve të subjekteve që kishin pretendime në përputhje me kriteret kushtetuese për vënien në lëvizje të kësaj gjykate?

Pyetja që ngriti Shoqata e Bashkive ishte në vetvete themeli i çështjes. Komisioni i Venecias u shpreh vetëm për 3 pyetjet e hartuara nga vet Gjykata që jo vetëm që nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e gjykimit, por në mënyrën se si ato u formuluan, qartazi kërkonin të orientonin dhënien e një opinioni që do të shërbente për të legjitimuar vendimmarrjen e saj të mëvonshme. Kjo është një nga shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që përmes një procesi jo transparent, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, dhe barazinë e palëve në gjykim, i mohoi Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, të drejtën për të marrë një përgjigje përfundimtare për pyetjen që kishte ngritur.

Kjo mënyrë operimi e Gjykatës Kushtetuese, na krijon bindjen e palëkundur se, Gjykata Kushtetuese e kishte marrë vendimin e saj për ta shpallur veten jo kompetente për zgjidhjen e çështjes, që prej datës 23 qershor 2021 dhe dërgimi i çështjes në mënyrë të papritur në Komisionin e Venecias, për të marrë një opinion këshillimor, ishte një taktikë e Gjykatës, që përmes procedurave, të shtynte në kohë vendimmarrjen e saj, me qëllim që t’i krijonte vetes një justifikim përballë publikut, për mos përmbushjen e detyrës dhe funksionit themelor të saj, duke u vetëshpallur jo kompetente për shqyrtimin e themelit të çështjes. Se sa kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese iu përshtat kërkesave të qeverisë, kjo nuk ka nevojë për komente. Mjafton të lexoni vendimin dhe e kuptoni se Gjykata Kushtetuese dhe Qeveria janë në të njëjtën linjë arsyetimi. Opinioni i Komisionit të Venecias ishte i paraprogramuar. Gjykata Kushtetuese nuk përmbushi rolin, misionin dhe përgjegjësitë që Kushtetuta i ka dhënë.

DETYRIMET MBI VENDIMIN

Nga leximi tërësor i vendimit të Gjykatës, kjo vendimmarrje nuk prek, nuk krijon asnjë detyrim, dhe nuk nxjerr asnjë përgjegjësi, për asnjë nga palët e përfshira në këtë proces! Askush nuk është i detyruar të ndërmarrë ndonjë veprim për zbatimin e këtij vendimi, sa kohë ky vendim nuk thotë asgjë, përveçse rrëzon kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, pasi ka deklaruar mungesën e kompetencës së vet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së një procesi zgjedhor. Gjykata Kushtetuese, për një çështje kaq të rëndësishme të karakterit kushtetues, nuk e përmbushi misionin e saj sublim, por me vendimin e marrë nuk dha asnjë zgjidhje siç do duhej të bënte, dhe siç interesat më të larta të vendit e kërkonin.

Gjykata Kushtetuese, qëllimisht vendosi të qëndrojë mënjanë, duke stisur një shkak, si mungesën e juridiksionit, ndërkohë që OSBE/ ODHIR, Bundestagu gjerman, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së, janë shprehur qartë se i takon Gjykatës Kushtetuese që të merrte vendim përfundimtar lidhur me legjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Gjykata Kushtetuese, me vendimmarrjen për ta shpallur veten si jo kompetente për shqyrtimin e një çështjeje të tillë madhore, krijoi një precedent shumë të rrezikshëm për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë.

Sipas këtij vendimi, forca qeverisëse në pushtet, kushdo qoftë ajo, në të ardhmen, ka mundësinë që në mënyrë arbitrare dhe antikushtetuese, të interpretojë e më pas të realizojë zgjedhjet në Shqipëri, në datën apo momentin kur ajo dëshiron, apo edhe të mund të vendosë të mos kemi fare zgjedhje. Gjykata Kushtetuese aktuale, nga garante e lirive dhe të drejtave themelore politike e zgjedhore të qytetarëve, përkundrazi, i hapi dyert anti-kushtetutshmërisë, abuzimit me Kushtetutën dhe ligjin, dhe imponimit të dhunshëm të pushtetit të radhës./panorama.al


MË SHUME NGA Shqipëri