Balla:Vendimi i Kushtetueses për zgjedhjet nuk interpretohet,vetëm zbatohet
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se, vizita e Zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dy ditë para 11 dhjetori ka shumë kontekste, por theksoi ai rëndësi ka niveli shumë i mirë që kanë marrëdhëniet mes dy vendeve.
I pyetur në një prononcim për mediet se nëse do të miratohet brenda këtij viti zgjatja e mandatit të organeve të vetingut, Balla tha se, “kjo nuk varet në dëshirën time dhe të as të shumicës. Natyrshëm që kjo është një çështje që është procedurë parlamentare. dhe duke qenë se është një çështje e karakterit teknik, mendoj që Kuvendi e ka kohën e nevojshme përpara, për ta diskutuar dhe marrë në shqyrtim. Ju e dini që deri në muajin maj, që i përfundon afati sipas parashikimit aktual kushtetues. Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë ka një axhendë të vetën të përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore, të cilat janë duke ecur sipas asaj axhende. Po të mos harrojmë që në këtë axhendë është ndërthurur edhe opinioni i vyer i Komisionit të Venecias, i cili pritet të miratohet nesër në seancën plenare, të Komisionit të Venecias. Nesër dhe pasnesër është seanca plenare e Komisionit të Venecias. Kështu që në këtë mënyrë Kuvendi i Shqipërisë është i detyruar të presë opinionin përfundimtar zyrtar të Komisionit të Venecias. Dhe pastaj mos harroni që procedura parlamentare parashikon disa afate nga momenti i miratimit të raportit përfundimtar nga ana e mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit të Ligjeve deri në prezantimin në seancë plenare”.
I pyetur nëse po pritet që Venecia të bindë PD për të votuar pro, Balla tha se, “askush nuk mund ta vendosë në një presion afatesh grupin parlamentar të opozitës, grupin më të më madh parlamentar të opozitës, që është grupi parlamentar i PD. Natyrshëm kjo është një çështje që do marrë kohën e vetë dhe unë ju bëra njëra një përshkrim të asaj që parashikon procedura parlamentare”.
I pyetur për deklaratën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 se ishte në unison me vendimin e qeverisë, Balla tha se, “ka një rregull që është e shkruar mbi gjithë rregullat e tjerë. Mendoj që duhet ta mirëkuptojmë të gjithë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen më. Përtej këtyre vendimeve nuk ka më interpretim tjetër. Pra vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në të njëjtën baraspeshe dhe të njëjtin nivel me Kushtetutën vetë. Çfarë bën Gjykata Kushtetuese? Gjykata Kushtetuese nëse ka një konflikt, apo ka një përplasje ndër institucionale për një çështje të caktuar, Gjykata Kushtetuese bën interpretimin dhe ajo merr vlerën e vetë parashikimeve të Kushtetutës. Kështu që këtu nuk ka më interpretim. Nuk ka një shkallë tjetër tek e cila të apelosh. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vetëm zbatohet. Kështu që në këtë këndvështrim çdo përpjekje për të mos njohur vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje që nuk i bën nder asnjë institucioni. Kështu që kjo çështje ka marrë fund këtu. Unë e kam thënë edhe në momentin e shpallje së vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ky vendim është një vendim i rëndësishëm sepse lidhet me kontekstin e zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Pati një përpjekje për t’u hequr qytetarëve shqiptarë të drejtën që në përfundimin ciklik 4-vjeçar të mandatit të organeve vendore, të drejtën për të votuar. Në ketë këndvështrim në 30 qershor ishte një moment i rëndësishëm në historinë e demokracisë re në Shqipëri, ku çdo palë mori mësimet e veta. Natyrshëm ata që u përbetuan se zgjedhje në Shqipëri nuk do të ketë morën të drejtën e qytetarëve për të vendosur me votë. Dhe natyrshëm që demokracia vetë fitoi sepse të gjithë ne këtu jemi të përkohshëm. Na vendos populli shqiptar të na sjellë në këtë sallë këtu në Kuvend, por një ditë populli shqiptar vendos të mos na sjellë më. Por është vetëm populli ai që mund ta caktojë se kush do të jetë dhe kush nuk do të jetë. Kështu që e drejta e popullit për të vendosur ishte një e drejtë e madhe që fitoi më 30 qershor. Unë mendoj se ajo që ka prevaluar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe në opinionet e vyera të Venecias, sepse u desh disa herë që Venecia të thirrej për t’u investuar me opinionet e veta, ishte pikërisht e drejta e qytetarëve për të zgjedhur”.
Sesi po shkojnë negociatat me PD për çështjen e ngritjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, apo e kanë lënë pasi të sqarohet situata e brendshme e PD, Balla tha se, “nuk ka të bëjë kjo me çështje të brendshme me PD, sepse PD ka grupin e saj parlamentar, i cili funksionon të paktën në aspektin institucional të Kuvendit, shumë institucionale në marrëdhënien me shumicën parlamentare. Natyrshëm PD ka një axhendë të cilën e ndjek në aspektin e punës së vetë parlamentare. Por të mos harrojmë që një çështje e cila ka të bëjë me objektin e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhor, është një çështje që kërkon një punë sqimatarë nga ana e atyre që janë ngarkuar për ta bërë këtë punë në kuptimin e formësimit të mirë të të gjithë objektit të punës, e cila të përfshijë natyrshëm edhe të gjitha raportet për zgjedhjet nga ana e ODIHR. Sepse të mos harrojmë që puna themelore e një Komisioni të Reformës Zgjedhore lidhet me rekomandimet e ODIHR dhe të mos harrojmë që në mënyrë të përsëritur kemi disa raporte që nga 2015-ta, 2013-ta nëse doni. 2015, 2017, 2019, 2021, nga të cilat kanë dalë disa rekomandime të ODIHR-it, të cilat ne duhet t’i transpozojmë në legjislacion zgjedhor. Kështu që në këtë këndvështrim mendoj që pothuajse kemi mbyllur 90-95% të gjithë strukturë së pr/vendimit përkatës për përcaktimin e punës së Komisionit. Është një çështje e cila kërkon ende më shumë kohë për t’u konsultuar mes palëve. Dëshira ime dhe e kolegëve besoj edhe nga opozita është që ky Komision të fillojë punën e vetë në janar, pra me sesionin e ri të kësaj legjislature”.
Nëse përbën interes për PS të ndjekë Kuvendet e PD të 11 dhe 18 dhjetorit, Balla u shpreh se, “unë nuk dua të komentoj aspak. Jam gjithmonë i parimit që çështjet e brendshme të një partie, janë çështje të asaj partie. Për mua është e rëndësishme puna në Kuvendin e Shqipërisë dhe puna do ta quaj unë dy partizane në Kuvendin e Shqipërisë, sepse Kuvendi është një institucion ku mes shumicës dhe pakicës, për çështje të rëndësishme, sikurse po e shikoni sot, ka çështje për të cilat ne jemi dakord. Dhe në përgjithësi janë çështje të politikës së jashtme, por nuk ka vetëm çështje të politikës së jashtme, ka dhe plot çështje të politikës së brendshme për të cilat ne do të punojmë”.
I pyetur nëse i frikësohet mazhoranca paralajmërimit të SHBA se do të marrë sanksione për ata persona në Ballkanin Perëndimor që janë të përfshirë në korrupsion, Balla u shpreh se, “unë e kam përshëndetur sot në Kuvendin e Shqipërisë vendimet e Departamentit të Thesarit të SHBA për të vendosur nën sanksione financiare elementë të cilët destabilizojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por edhe janë burim i korrupsionit. Sepse arsyeja e vendosjes të bandës kriminale të Svonko Veselinovic, lidhet edhe me financime të partive të caktuara politike në fushata elektorale dhe natyrshëm edhe me trafiqet në të dy anët e kufirit mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë, kryesisht në pjesën e veriut të Kosovës. Kështu që në këtë këndvështrim unë mendoj që ajo që buron nga strategjia kundër korrupsionit e publikuar nga presidenti Biden, është një vijim i vendimeve të mëparshme të marra nga administrata Biden-Harris, për të goditur, qoftë përfaqësues të politikës të lidhur me korrupsionin, por edhe elementë të cilët destabilizojnë paqen dhe stabilitetin kudo në botë dhe natyrshëm ajo që për ne ka rëndësi është rajoni ynë i Ballkanit. Kështu që PS, jo vetëm e përshëndet, por sigurisht që PS është e vetmja forcë politike në këtë vend që ka vendosur një standard të pamohueshëm në politikë, kur çdo përfaqësues i saj është vendosur në një akuzë për korrupsion apo vepra të tjera penale, PS ka hequr çdo lloj mbështetje dhe do vazhdojë të heqë çdo lloj mbështetje për këdo”.
Për vizitën e Zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Shqipëri dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Berisha më 11 dhjetor, Balla tha se, “unë mendoj që vizita e Escobar ka shumë kontekste nëse doni ju. Por është një vizitë edhe e planifikuar në kuadrin e një turi ballkanik që Escobar po bën në Shqipëri. Ajo që për ne shqiptarët ka rëndësi është që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së, sot janë në nivelin më të mirë politik dhe diplomatik. Me një shkëmbim të shkëlqyeshëm të vizitave. Ajo që doja të theksoja meqë mu dha mundësia nga pyetja juaj është që ne kemi propozuar gjatë vizitës në Uashington edhe përfshirjen e Shqipërisë në partneritetin për demokraci të Dhomës së Përfaqësuesve, ku Dhoma e Përfaqësuesve, në kuadër të Kongresit amerikan zhvillon një kontakt me parlamentet e vendeve të tjera. kështu mendoj që një kontakt i përditshme mes Kongresit dhe Kuvendit të Shqipërisë do të ishte diçka e mirë”.
Për mbështetjen që PD i ka dhënë pr/ligjeve të propozuara nga PS, Balla tha se, “nuk është e vërtetë kjo. PD ka pasur propozimet e veta, amendamentet e veta në një sërë çështjesh, por të mos harrojmë që ky sesion i parë i kësaj legjislature ka qenë një sesion ku pjesa më e rëndësishme e punës është lidhur kryesisht me ratifikim marrëveshjesh. Dhe unë e thashë që në kuadër të politikës së jashtme nuk ka dallime të mëdha mes mazhorancës dhe opozitës. Por kjo nuk duhet nënkuptuar si një votë e opozitës për shumicën. Kjo duhet nënkuptuar si një qasje e përbashkët për çështje themelore të politikës tonë të jashtme”. /atsh























