Miratohet hedhja në votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit Basha
Delegatët e Kuvendit Kombëtar të PD-së kanë vendosur për hedhjen në votim të fshehtë për shkarkimin e kryetarit, Lulzim Basha. Votimi i fshehtë, siç u tha gjatë mbajtjes së kuvendit në stadiumin “Air Albania” është për thyerje të rënda statutore. Ky votim pritet të organizohet gjatë ditës, ndërsa më 18 dhjetor pritet të ratifikohet me referendum kjo vendimmarrje.
Belind Këlliçi, i cili po kryeson komisionin ka përmendur 26 emrat e komisionit të përkohshëm të rithemelimit të PD-së, në mesin e tyre edhe Sali Berisha. Më pas, ka hedhur në votim propozimin për hedhjen në votim të fshehtë të shkarkimit të kryetaruit, Lulzim Basha.
“Ky vendim ka të bëjë me vendosjen e votimit me votë të fshehtë për shkarkimin e kryetarit në detyrë, Lulzim Basha...Jeni dakord 15 për qind e Kuvendit Kombëtar për të mbështetur këtë vendim, pro, kundër, abstenim, miratohet. Atëherë, të mbështetje të nenit 43, germa q, të statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, statuti i miratuar në 11.12. 2021, me propozimin e një grupi prej shtatë deputetësh të PD-së si dhe 15 për qind të delegatëve të PD-së, Kuvendi Kombëtar i PD-së vendosi : 1. Të votojë me votim të fshehtë të delegatëve për shkarkimin e kryetarit të PD-së Lulzim Basha për thyerje të rëndë të statutit të PD-së, përvetësim të kompetencave të organeve qendrore dhe dëmtim të rëndë të interesave politike dhe elektorale të saj”, ka deklaruar ai.
Fleta e këtij votimi të fshehtë do të ketë pyetjen- “A jeni dakord me shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha?”.
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte propozuar mbajtjen e kuvendit kombëtar pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD-së për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar partie.























