Kuvendi i Berishës shkarkon Bashën si kryetar i PD-së
Është shkarkuar kryetari i deritanishëm i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha. Kuvendi Kombëtar i cili ka vijuar punimet gjatë tërë ditës në stadiumin “Air Albania”, pas ndryshimit të statutit të kësaj partie ka arritur të shkarkojë edhe Bashën, që sipas tyre, ka bërë thyerje të rënda statutore.
Delegatët e pranishëm në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, votuan këtë të shtunë për të shkarkuar kryetarin Lulzim Basha me 4446 vota për.
Pas votimit të të gjithë delegatëve, kryesuesi i komisionit, Belind Këlliçi ka njoftuar për rezultatin e votimit të fshehtë.
Këlliçi: Pro shkarkimit të kryetarit të PD-së kanë votuar 4446
“Rezultati rezulton si më poshtë: Delegatë prezent në momentin e çeljes së votimit kanë qenë 4934. Nga këta delegatë, pjesëmarrës në votim janë 4491 delegatë. Nga këto 4491 delegatë, pro shkarkimit të kryetarit të PD-së kanë votuar 4426 delegatë. Kundër kanë votuar 36 delegatë dhe nëntë delegatë e kanë nxjerrë fletën e pavlefshme. Ky është rezultati zyrtar i procesit të votimit”, tha ai.
Për të ratifikuar votimin e së shtunës, më 18 dhjetor do të organizohet referendumi.
Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha kishte propozuar mbajtjen e kuvendit kombëtar, pasi Lulzim Basha e pezulloi përkohësisht nga grupi parlamentar i PD-së për shkak se ishte shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.























