Basha shkarkon 29 zyrtarë pro Berishës
Opozita demokratike në Shqipëri vijoi mbledhjen e forumeve në një zhvillim ndarës mes kryetarit Lulzim Basha dhe ish-kryeminstrit Sali Berisha.
Partia Demokratike e kryetarit Basha shkarkoi këtë pasdite gjithsej 29 zyrtarë që iu bashkuan Kuvendit të Jashtëzakonshëm të thirrur nga zoti Berisha të shtunën e 11 dhjetorit. Kuvendi i djeshëm ndërkaq shkarkoi të gjithë forumet e partisë.
Partia Demokratike opozitare me kryetarin Lulzim Basha shkarkoi kryetarin e Këshillit Kombëtar Edi Paloka, 5 anëtarë dhe 4 sekretarë të kryesisë që iu bashkuan Kuvendit të Jashtëzakonshëm të një dite më parë të thirrur nga ish-kryeministri dhe ish-presidenti Sali Berisha.
Kryetari Basha, i cili u shkarkua nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm nuk e njohu këtë forum dhe tha se 11 zyrtarë drejtues dhe 29 gjithsej që u bashkuan me zotin Berisha, nuk janë më pjesë e partisë.
Vendimet u morën pasdreken e kësaj të diele në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar me votën e 251 nga 257 anëtarëve të pranishëm nga 479 gjithsej, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Zoti Basha tha se në 11 dhjetor u themelua organizata e parë antiamerikane 30 vite pas asaj të Enver Hoxhës dhe se çdo vendim i Kuvendit të ish-kryetarit Berisha është i paligjshëm.
“Me një vendim te paligjshëm, antistatutor, përçarës, Berisha pezulloi dhe këshillin kombëtar. Ju jam mirënjohës për përpjekjen tuaj dhe ata qe përfaqësoni, qe te mos prevalojne retorikat përçarëse. Kjo është rruga e vetme qe te shkojmë përpara”-tha zoti Basha.
Ndërkaq zoti Berisha mbajti “Foltoren” e radhës me shqiptaro-amerikanët në Florida dhe tha se vendimet e kryetarit Basha, të cilin e quajti të shkarkuar, nuk janë të vlefshme.























