Tiranë, mbahet konferenca ndërkombëtare për të zhdukurit nga diktatura
“Zhdukjet me forcë dhe të pavullnetshme në kohën e diktaturës e të së kaluarës autoritare dhe mjediset bashkëkohore: Një vlerësim social, ligjor dhe historik i politikave dhe i mekanizmave të tranzicionit dhe transformimit” është tema e një konference ndërkombëtare, që do të zhvillohet në datat 13 deri më 15 dhjetor, në Tiranë dhe online.
Konferenca organizohet nga Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Qendrën për Drejtësi dhe Transformim të Universitetit të Tiranës dhe me fonde të qeverisë gjermane.
Ajo mbledh akademikë, punonjës nga institucione të ndryshme dhe politikëbërës nga rajone të ndryshme të botës, që kanë përjetuar regjime autoritare dhe diktatura, për të eksploruar dhe rimenduar çështjen e të zhdukurve për të nxitur zbatimin e të drejtat e njeriut dhe të shtetit ligjor, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika
Për media konferenca është e hapur në fillim të hënën, më 13 dhjetor, ora 12:00, në hotelin “MakAlbania”, salla “Illyria I”.
Fjalën hapëse do ta mbajë kryetari i Prezencës, Vincenzo Del Monaco, si dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, ambasadori gjerman, Peter Zingraf, dhe Komisionerja e Seksionit të Veçantë nga Avokati i Popullit, Ermonela Ruspi.























