Kastrati mban fjalim me mesazhin “Vulin, lëshoje ujin”
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka mbajtur fjalim teksa përpara foltores mbante mesazhin “Vuline, pusti vodu”, që në shqip do të thotë “Vulin, lëshoje ujin”.
Kastrati kritikoi qasjen e Qeverisë pas deklaratës së ministrit të Brendshëm serb për mohimin e Masakrës së Reçakut.
“Një figurë groteske si Aleksandër Vulin, tha që Reçaku është ngjarje fiktive. Jo që nuk pritet prej tij një gjë e tillë, por është e çuditshme që nuk pat reagim të ashpër nga kjo Qeveri. Reagoi SHBA, e kjo Qeveri reagoi dobët. Sot qëllimisht me dhënë një porosi në gjuhën e tij se ai kështu e kupton, por është keq të dalim me një reagim shumë të dobët.
Kjo ministrja (për Gërvallën), që mezi pret me shku në Gjykatë me fol për Kadrinë e Hashimin, nuk reagoi fare për deklaratën e Vulinit”, deklaroi Kastrati.
Për deklaratën e tij reagoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, që tha se shteti i Kosovës reagon me procese gjyqësore ndaj atyre që mohojnë këto masakra.
“Zotëri Kastrati nëse jeni në ngjarje shteti i Kosovës reagon me procese gjyqësore ndaj njerëzve që i mohojnë këto masakra. Kërkoj nga ju si deputet të mos ia degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës popullit të Kosovës”, ka thënë Konjufca./koha.net























