Spitali Pediatrik ende nuk është vë në funksion
Ariana Kasapolli, Radio Kosova
Spitali Pediatrik në Prishtinë, i cili është donacion i Emirateve të Bashkuara me vlerë 22 milionë euro, ndonëse ka përfunduar, ai ende nuk është vë në funksion.
Aty është paraparë edhe kardiokirurgjia për fëmijë, shërbim ky që ka munguar në vend. Ramush Beiqi, mjek pediatër, tha se për pesë muaj Kosova pritet t’i ketë dy kardiokirurgë dhe anesteziologë pediatrikë të gatshëm që të fillojnë punën në spitalin e ri.
Spitali Pediatrik brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse ka përfunduar, ai ende nuk është vë në funksion. Ky spital është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, me vlerë 22 milionë euro.
Mos funksionalizimi i tij ndër të tjera lidhet edhe me mungesë të resurseve humane, specifikisht me mjekë specialistë të fushave të caktuara.
Brenda këtij spitali, parashihet të jetë edhe Kardiokirurgjia e Fëmijëve, e që një shërbim i tillë mungon në Kosovë.
Por, Ramush Beiqi, kardiolog pediatër, i tha Radio Kosovës se vendi nuk e ka asnjë kardiokirurg për fëmijë. Por ai tha se ka vite që në specializim janë dy kardiokirurgë dhe një anesteziologë pediatrik, e që më hapjen e spitalit të ri do të mund të kontribuonin me operacione në zemër të hapur, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Ton: “Ne nuk kemi kardiokirurg pediatrik në Kosovë. Por ne e kemi planifikuar këtë kur është nisur spitali pediatrik, dhe në atë program afatgjatë kemi planifikuar dy kardiokirurgë pediatrikë dhe anestezistë. Ne do të mundë të fillonim me staf kosovar brenda pesë muajsh, por me një mjek kardiokirurg të huaj fillimisht, dhe më pas gjithçka të kalojë në dorë të mjekëve tanë ”, tha Beiqi.
Në vend janë afro 400 fëmijë në vit që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit.
Për ndërtimin e kësaj qendre, që u dhuruan 22 milionë euro, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pati thënë se klinika parashikohet të hapet në verën e vitin 2017. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Prej atëherë disa nga mjekët kanë marrë specializime të caktuara që po shpresojmë që me hapjen e spitalit ata do të kontribuojnë në shëndetin e fëmijëve.























