Ministrja e Jashtme pret në Tiranë homologun malazez
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka pritur ditën e sotme në ambientet e institucionit që ajo drejton homologun malazez, Gjorgje Raduloviq.
Gjatë konferencës së mbajtur për shtyp ministrja e Jashtme ka vlerësuar maksimalisht marrëdhienet mes dy vendeve, duke e përkufizuar këtë raport mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si një faktor stabilizues dhe model për rajonin.
Xhaçka siguroi gjithashtu homologun malazez se prioriteti i Shqipërisë në këshillin e Sigurimit do të jetë promovimi i paqes dhe zgjidhja e konflikteve përmes dialogut.
“Është kënaqësi që mirëprita në Tiranë, ministrin e Jashtëm të një vendi fqinj dhe mik siç është Mali i Zi. E falenderoj për mundësinë që patëm për të diskutuar nga afër për marrëdhëniet mes nesh, por edhe për situatën në rajon, ku marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi, janë faktor stabiliteti dhe model për rajonin.
Jam e kënaqur që marrëdhëniet tona kanë pasur një progres gjatë viteve të fundit. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, të cilën Shqipëria e ka mbështetur dhe për të cilën shqiptarët në Malin e Zi kanë pasur një kontribut të patjetërsueshëm, ka kontribuar direkt në zgjerimin e bashkëpunimit mes nesh por edhe në konsolidimin e prespektivës euro-atlantike të rajonit. Shqipëria e konsideron Malin e Zi një partner të rëndësishëm rajonal. Prioriteti i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit do të jetë promovimi i paqes dhe zgjidhja e konflikteve përmes dialogut.
Mbledhja e radhës e dy qeverive, parashikohet në një të ardhme të afërt. Ne mbetemi të angazhuar për ndërtimin e Autostradës Adriatiko-Joniane.
Rritja e investimeve malazeze për shqiptarët, forcon besimin reciprok mes qytetarit dhe qeverisë.
Shqipëria i ka dhënë minoritetit malazez vendin dhe vlerën që i takon. Memorandumi i Bashkëpunimit mes Akademive diplomatike, konkretizon rritjen e bashkëpunimit”, tha Xhaçka./panorama.al























