Kushi:Të dënuarit për abuzime me të mitur s’do lejohen të punojnë si mësues
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, deklaroi se çdo person që ka një vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me të mitur, nuk mund të konkurrojë apo të punojë si mësues.
“Në datën 1 dhjetor firmosa udhëzimin që ndalon aplikim dhe konkurrimin për të punuar si mësues për personat e dënuar që gjykata ka marrë vendimin e formës së prerë për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve, apo një vepër penale të lidhet me institucionet arsimore”, u shpreh ministrja, njofton euronews.albania.
Në fjalën e saj në Kuvend, znj. Kushi nënvizoi se i ka kërkuar ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja që mos fshihen nga dëshmia e penalitetit dënimet e marra shumë vite më parë.
“Jam shumë e hapur për propozimin tuaj për regjistrin që keni propozuar. Patjetër këtë ligj le ta shikojmë të gjithë me përparësi”, u shpreh ajo në lidhje me propozimet e opozitës.
Ministrja nënvizoi se aktualisht në ekipet e shkollave tona ka punonjës social dhe oficerë sigurie.























