Spiropali: Jemi shembull për rajonin për respektimin e pakicave kombëtare
BKT
Shqipëri

Spiropali: Jemi shembull për rajonin për respektimin e pakicave kombëtare

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se qeveria shqiptare ka respektuar të drejtat e minoriteteve.

Në fjalën e saj në Kuvend, duke iu përgjigjur deputetit të opozitës Vangjel Dule, Spiropali u shpreh se qeveria shqiptare ka respektuar të drejtat e minoriteteve dhe se deputeti Dule në fjalën e tij tha vetëm të pavërteta.

“Jo vetëm qeveria e sotme por të gjitha qeveritë shqiptare kanë bërë në konsekuencë për plotësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ne vendosëm që këtë interpelancë ta mbajmë sot dhe ju vendoset për të mos e zhvilluar interpelancën, ama kohën tuaj e shfrytëzuat dhe e konsumuat duke thënë disa të pavërteta, që qeveria shqiptare nuk e paska prioritet çështjen e mbrojtjes së pakicave kombëtare, kur është qartë që jo vetëm qeveria shqiptare por i gjithë ky vend është një shembull rrezatues për rajonin dhe për fqinjët tanë sa i përket respektimit të pakicave kombëtare dhe plotësimit të kuadrit ligjor”, u shpreh Spiropali.

Spiropali shtoi se në 2017 ka kaluar një ligj që është një nga ligjet më progresiste në rajon.

“Shqipëria është nga të paktat vende që këtë kuadër ligjor e ka plotësuar tashmë edhe me 8 vendime të  Këshillit të Ministrave që jo vetëm i japin të drejta minoriteteve por e bëjnë detyrimin tonë kundrejt pakicave kombëtare të gjallë të vërtetë në një marrëdhënie që u garanton atyre jo vetëm liritë ekonomike, kulturore por edhe liri të tjera që fatkeqësisht shqiptarëve në rajon u mohohen”, u shpreh Spiropali. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri