Banozic:Kroacia përkrah anëtarësimin e Kosovës n`institucione euroatlantike
BKT
Lajme

Banozic:Kroacia përkrah anëtarësimin e Kosovës n`institucione euroatlantike

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banozic ka deklaruar se e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në institucione euroatlantike dhe se e mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Ai është pritur në takim nga ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, me ç’rast kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për siguri dhe mbrojtje. Ky nënshkrim, Mehaj ka thënë se ofron mundësi për zbarkimin e trupave të FSK-së me ata të ushtrisë kroate në operacione ndërkombëtare.

Mehaj ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt NATO-s.

“Këtë miqësi e kurorëzojmë sot me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy ministrive tona, për mbrojte dhe siguri. Me këtë hap rrugë për bashkëpunim dhe hap mundësitë më të ngushta sa i përket shkollimit, trajnimit të personelit ushtarak, zhvillim të stërvitjeve të përbashkëta, mundësi për bashkë-zbarkim në operacione dhe misione ndërkombëtare, bashkëpunim ma të theksuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, e gjithashtu edhe në fusha të tjera. Si ministër i Mbrojtjes qysh në fillim kam theksuar se partneriteti me Republikën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm për ne për arsye se Kroacia është vend anëtar i NATO-s por edhe ka përvojë mbi 11 vite në NATO dhe ne si Republikë e Kosovës e kemi të njëjtën aspiratë, të njëjtat qëllime por i ndajmë edhe të njëjtat vlera”, ka thënë Mehaj.

E Banozic, i cili është pritur me ceremoni në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë, ka thënë se Kroacia do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim në fushën e trajnimeve dhe shkollimit.

Sipas tij, nënshkrimi i memorandumit e fuqizon bashkëpunimin në mes dy vendeve.

“Ne e përkrahim anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme euroatlantike, ne po ashtu e mbështesim procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura dhe kjo është pjesë e memorandumit të bashkëpunimit, po ashtu ne ofrojmë trajnim në fushën e trajnimeve dhe shkollimeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë. Po ashtu bashkëpunimi jonë vazhdon edhe me kontributin tonë brenda KFOR-it, me praninë e oficerëve kroatë në mënyrë që këtu të jetë jeta më e sigurt dhe stabile. Unë dëshiroj të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin tonë dhe të bëhet shkëmbimi i njohurive dhe përvojës mes forcave tona”, ka thënë ministri kroat.

Banozic ndër të tjera ka shprehur falënderim për Kosovën për siç ka thënë ai, trajtimin e pjesëtarëve të komunitetit kroat në Janjevë, për çka ka thënë se është një prej indikatorëve për miqësi mes të dy vendeve.


MË SHUME NGA Lajme