Tarifat e reja të energjisë elektrike 2022
Operatorët publikë të transmetimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike, OST dhe OSHEE kanë aplikuar për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike për shërbimet respektive që këto kompani ofrojnë.
Sipas ligjit, aplikimi për tarifa të reja bëhet çdo vit, por jo çdo vit mund të ndryshojnë ato. Fakt është përshembull që tarifa e transmetimit të energjisë ka që nga viti 2018 që nuk ka ndryshuar.
Televizioni Publik ka dijeni për aplikimet e reja të kompanië dhe disponon edhe materialin e plotë të depozituar në Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERRE.
Ky institucion ka detyrën që përpara miratimit apo ndryshimit të tarifave të realizojë dëgjesa publike për të marrë opinionin e aktorëve të ineteresuar, por dhe të vetë kompanive me kapital shtetëror. Dëgjesa publike e këtij viti e planifikuar për datën 17 dhjetor është shtyrë në afatin e fundit, në datën 29 dhjetor, datë pas së cilës shqiptarët do të njihen me tarifat e reja të energjisë elektrike.
Në dokumentat që disponon RTSH nuk ka gjetur një aplikim të operatorit të prodhimit të energjisë elektrike, KESH sha.
Nga një analizë e thjeshtë e tarifave të kërkuara vihet re se një pjesë e kompanive nuk kanë kërkuar rritje të cmimit për shërbimet që ofrojnë. Kështu Operatori i Shpërndarjes ka kërkuar më shumë të ardhura nga shpërndarja e energjisë për tensionin e ulët, ndërsa ka tarifa të ulura për energjinë e shpërndarë ne tensionin 6 deri 35 kilovolt.
Rritjen më të madhe të tarifave e ka kërkuar Operatori i Transmetimit, i cili i ka paraqitur entit një projekt për tre vitet e ardhshme kur tarifa nga 0,75 lekë për kilovatorë pritet të shkojë deri afër dyfish në vitin 2024.
Kompanitë publike e kanë argumentuar rritjen me situatën e vështirë që kanë kaluar në dy vitet e fundit, me mungesën e investimeve të planifikuara dhe të parealizuara, që kanë sjellë edhe rritjen e humbjeve të tyre, ndërsa tarifat ekzistuese janë llogaritur për një nivel të ndryshëm humbjesh apo edhe me kontratat me sindikatat që kërkojnë pagen e 13 për të gjithë punonjësit e tyre, pagë që nuk u aplikua as vitin që kaloi.
Ndërkohë qeveria shqiptare, pavarësisht shtrenjtimit të paprecedent të importit të energjisë elektrike ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të saj për kategorinë e familjarëve dhe të bizneseve të vogla.
Sakaq rreth 8 mijë kompani shqiptare dalin në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike menjëherë pas vitit të ri./rtsh























