Pagë deri në 100% për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës
BKT
Shqipëri

Pagë deri në 100% për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend, se nisma e re ligjore për statusin “Fëmijë nën kujdesin e Republikës”, që hyn në fuqi nga janari 2022 siguron mbështetje maksimale nga shteti për fëmijët e atyre që humbin jetën në krye të detyrës.

Ndërsa u bëri thirrje deputetëve ta votojnë këtë ligj, Rama tha se “kjo nismë reflekton vizion, mishëron një ambicie dhe materializon një qasje të vazhdueshme të kësaj shumice qeverisëse në raport me ata që ndjehen më të dobët, sepse faktikisht u përkasin kategorive më vulnerabël”.

“Me votën e sotme Kuvendi do të përcaktojë një status të ri për të gjithë fëmijët apo personat nën kujdestari të Dëshmorëve të Atdheut, të mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën si rezultat i pandemisë në krye të detyrës, të personave që kanë humbur jetën në përpjekje për të mbrojtur pronën publike ose shpëtuar dhe mbrojtur jetën e individëve të tjerë, shtetasve shqiptarë që kanë humbur jetën si pasojë e kryerjes së detyrës në gjendjen e fatkeqësisë natyrore”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “përmes kësaj nisme që sot kthehet në ligj, shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë të gjithë fëmijët e të gjithë këtyre kategorive prindërish, për t’u lehtësuar përballimin e një vijimësie jete në kushtet e humbjes së prindit apo kujdestarit ligjor si dhe për integrimin e tyre shoqëror”.

“Statusi ‘Fëmijë nën kujdesin e Republikës’, përfitohet deri në moshën 18 vjeç, por vijon deri në 25 vjeç nëse ndjek arsimin e lartë. Trajtimi financiar mujor llogaritet në bazë të pagës mujore më të lartë të prindit, në masën 100% kur është një fëmijë, në masën 70% për secilin kur janë dy fëmijë, 50% kur janë tre fëmijë dhe 40% kur në ngarkim të personit ka 4 fëmijë”, tha Rama. /atsh


MË SHUME NGA Shqipëri