Kreu i SPAK-ut: Në hetimet tona përfshihen edhe zyrtarë të lartë
Gjatë një ceremonie të mbajtur këtë të hënë ku u shpërndanë certifikata për hetuesit e BKH-së, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, bëri një bilanc të punës së bërë deri më tani nga organi që ai drejton ndërsa tha se në hetimet e SPAK përfshihen të gjitha kategoritë e zyrtarëve.
“Kemi hetimet të përbashkëta në vazhdimësi me autoritetet të huaja, të vendeve nordike, të Holandës, Gjermanisë, ku shkëmbejmë përditë informacion dhe kryejmë hetime të përbashkëta. Në hetimet tona janë përfshirë të gjitha llojet dhe kategoritë e zyrtarëve, por dhe zyrtarë publikë në Shqipëri, sipas prioriteteve që kanë qenë. Kemi të përfshirë drejtues të pushtetit lokal, zyrtarë të mesëm, zyrtarë të lartë. Kemi të përfshirë funksionarë e ish-funksionarë të sistemi të drejtësisë, të cilët i janë nënshtruar hetimeve, një pjesë janë dënuar, një pjesë vazhdojnë gjykimin, por do vazhdojmë në të njëjtin ritëm”, tha Kraja.
Kraja po ashtu tha se besimi ndaj SPAK ka ardhur në rritje, megjithatë ai theksoi se 2 vite nuk mund të ndryshojnë konceptin e rrënjosur prej 30 vitesh të pandëshkueshmërisë. Ai theksoi po ashtu se i gjithë procesi duhet të jetë një proces i rregullt, e në këtë kontekst Kraja tha se vendimmarrja e SPAK mund të jetë e vonuar, por është një vendimmarrje e cila nuk kthehet më pas.
“Sot edhe ata që kanë qenë më mosbesues ndaj nesh, kërkojnë që të na japin për të ushtruar funksione të cilat normalisht nuk i ka një prokuror. Besoj kjo është çështje besueshmërie në rritje. Megjithatë, duhet të them diçka këtu. Ne jemi prokurorë, ne nuk bëjmë as revolucion, nuk jemi as analistë, dhe ne jemi përfaqësues të shtetit, zbatues të ligjit. Që do të thotë që veprimtaria jonë është e bazuar në ligj, në prova për të ndëshkuar kushdo që të jetë ai person që ka shkelur ligjin, për të ndryshuar mentalitetin e konceptit të pandëshkueshmërisë që ka 30 vite në Shqipëri që ekziston dhe që besoj që jemi të gjithë dakord që nuk është e mundur për t’u ndryshuar për 2 vite. Por, duhet të jemi qartë në diçka tjetër. I gjithë ky proces duhet të jetë brenda standardeve dhe kornizave ligjore, që do të thotë duhet të garantojnë dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut me një proces të rregullt. E them këtë sepse vendimmarrja jonë vërtetë mund të vonojë, por është vendimmarrje e bazuar, e mbështetur, e cila nuk kthehet pas më”./tvklan.al























