Nano: Akademia e Sigurisë, strukturë unike në arsimimin policor
BKT
Shqipëri

Nano: Akademia e Sigurisë, strukturë unike në arsimimin policor

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano me rastin e 50-vjetorit të Akademisë së Sigurisë, tha se “50-vjetori i krijimit të institucionit të arsimit të lartë policor, përbën në vetvete një ngjarje që bën bashkë shumë nga gjeneratat të cilat në një ditë si kjo, kurorëzojnë përpjekjet dhe arritjet e merituara në këtë fushë”.

“Me ngritjen dhe forcimin e mëtejshëm të kësaj strukture unike dhe tejet përfaqësuese për arsimin e lartë policor, vendi ynë nuk krijoi vetëm një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të afërt me shoqërinë, por veçanërisht në dekadat e fundit i dha shtetit shqiptar edhe një përmasë më të konsoliduar dhe integruese”, tha Nano, teksa shtoi se, “historia e zhvillimit të arsimit policor është e lidhur ngushtë me historinë e Policisë së Shtetit në këto 50 vite”.

Nano vuri në dukje se, “ky institucion u dha dijet e nevojshme shumë gjeneratave dhe sot të gjithë ne brezat e diplomuar kemi të drejtë të ndihemi krenarë për mijëra studentë që kanë dalë nga kjo akademi, të cilët i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë vendit për forcimin e rendit e sigurisë publike dhe rritjen e luftës pa kompromis kundër krimit, korrupsionit e trafiqeve”.

“Për të përmbushur me sukses misionin dhe përgjegjësitë institucionale, Policia e Shtetit i ka vënë detyrë vetes të përmirësojë në vazhdimësi standardet dhe performancën e organizatës tonë, duke synuar në: Zhvillimin e një sistemi arsimor policor të bazuar në standardet e vendeve euroatlantike dhe aplikimin e një sistemi trajnimi të vazhduar”, shtoi ai.

“Politika në drejtim të arsimit të lartë kanë në fokusin e tyre, përmirësimin e këtij sistemi dhe vënien e tij në nivele bashkëkohore, me qëllim që të përgatiten punonjës policie të mirëshkolluar, më të disiplinuar e informuar dhe të trajnuar profesionalisht, në përputhje me përgjegjësitë që ushtrojnë, duke garantuar standard të lartë në kryerjen e detyrave e respektimin e të drejtave të njeriut”, deklaroi Nano

“Në emër të Policisë së Shtetit, ai përshëndeti partnerët ndërkombëtare si: Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, OSBE, misionet ICITAP e PAMECA, si dhe përfaqësuesit e policive të vendeve partnere, për ndihmën dhe kontributin e veçantë që kanë dhënë dhe po japin për modernizimin e Akademisë së Sigurisë dhe Policisë Shqiptare në tërësi”, tha Nano.

“E nesërmja, padiskutim do të jetë më reflektuese, më e sigurt dhe më e paqtë për ne si shoqëri dhe për gjeneratat që do të ecin në gjurmët e asaj që brezat krijuan dhe po vijojmë të ndërtojmë hap pas hapi”, përfundoi Nano./atsh


MË SHUME NGA Shqipëri