Protesta në Tiranë, ambasada amerikane paralajmëron qytetarët amerikanë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lajmëruar sot qytetarët amerikanë në lidhje me protestën që ka nisur në Tiranë nga selia e Partisë Demokratike e do të vijojë drejt Kryeministrisë.
Ambasada thekson se “është thirrur protesta për të hënën, më 20 dhjetor, duke filluar nga ora 16:00. Organizatorët e protestës kanë njoftuar se grumbullimi do të nisë në selinë e Partisë Demokratike dhe do të vazhdojë në afërsi të Kryeministrisë”.
“Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediet lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit”, thuhet në lajmërimin e SHBA.
Ndër veprimet për t’u ndërmarrë ambasada rendit shmangien e tubimeve të mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim.
“Jini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj. Monitoroni mediet lokale për përditësime”, thekson më tej ambasada në lajmërimin për qytetarët amerikanë. /atsh























