Krijohet Agjencia e mbikqyrjes policore në Shqipëri
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, gjatë diskutimit të projektligjit për “Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, ka thënë sot se policia e shtetit po bëhet gjithmonë e më tepër një organizëm më i pavarur dhe më profesional, në zbatimin e të drejtave themelore të njeriut.
Çuçi ka treguar për tiparet kryesore të ligjit dhe objektivat e tij për reformimin e strukturave të sigurisë.
Sipas tij, një risi e projektligjit është hetimi disiplinor nga Agjencia që do të bëjë ndaj subjekteve që mbikëqyr për të gjitha shkeljet e rënda, të cilat konstatohen nga vetë Agjencia gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse, si dhe detyrimin që do të kenë subjektet e agjencisë për të zbatuar konkluzionet e hetimit disiplinor, raporton atsh.
“Tiparet kryesore të ligjit dhe objektivat të tij synon një pakete tërësore për reformimin e strukturave të sigurisë për t’i sjellë ato në standardet më të mira europiane dhe të njohura botërisht. Ligji që kemi aktualisht për SHÇBA-në, apo Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, realisht nuk është një ligj shumë i vjetër. Por dinamika e zhvillime në këto vitet e fundit sidomos në sistemin e drejtësisë, por edhe faktorë të tjerë ligjore dhe institucional kanë bërë të detyrueshëm draftimin e këtij ligji të ri, që të përmbushë nevojat e krijuara, e t’i përgjigjet kësaj situate re të krijuar nga ndryshimet institucionale dhe ligjore”, tha ai.
Ai vuri në dukje se, një element tjetër shumë i rëndësishëm, që u shtohet nevoja edhe për reformim rrënjësor të SHÇBA-së lidhet me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë dhe kryesisht rëndësia për t’u përputhur me standardet e European Partnership Against Corruption (EPAC).
Çuçi theksoi se, ligji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me specialistët e ICITAP-it. Synimet kryesore të tij janë reformimi i shërbimit që tashmë do të quhet “Agjenci”, si një agjenci inteligjente për të luftuar korrupsionin, si dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të saj, duke e përafruar me agjencitë homologe të vendeve anëtare të BE-së.























