Ancelotti i del në përkrahje Iscos
Sipas trajnerit Carlo Ancelotti, mesfushori i Real Madridit Isco ka qenë i pafat që e ka humbur vendin në formacionin startues.
Isco, i cili u transferua te Reali gjatë aventurës së parë të Ancelottit në vitin 2013, ka arritur të bëjë vetëm shtatë paraqitje nën urdhrat e trajnerit italian në këtë sezon, përcjell KosovaPress.
Mesfushori spanjoll ka pasur probleme me lëndime gjatë sezoneve të fundit, dhe nuk ishte favorit për të qenë pjesë e formacionit bazë nën urdhrat e ish-trajnerit Zinedine Zidane.
Me raportimet e fundit, Isco thuhet se ka testuar pozitiv me Covid-19, kështu duke e mbyllur vitin 2021 para ndeshjes së mërkurës kundër skuadrës së Athletic Bilbaos.
Edhe pse Ancelotti nuk e konfirmoi që Isco ka rezultuar pozitiv, ai tregoi që mesfushori spanjoll nuk do të paraqitet kundër Athletic Bilbaos.
“Ai nuk e ka pasur mundësinë që të tregoj se sa i mirë është, sepse tani skuadra që fillon ndeshjet është duke luajtur shumë mirë. Kjo është arsyeja se pse Isco nuk është me ekipin, sepse ka qenë e vështirë që të rikthehet në skuadër”, tha Ancelotti.
“Por, momentalisht, Isco nuk është i gatshëm, sepse në të kundërtën ai do të paraqitej të mërkurën”, shtoi trajneri italian.
Për ndeshjen e së mërkurës kundër Athletic Bilbaos, Carlo Ancelotti do të jetë pa mesfushorin veteran Luka Modric, ku ky i fundit ende nuk është rikthyer në stërvitje që nga kontraktimi i virusit Covid-19.























